Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Europian të boksit, aktivitet që po zhvillohet që prej datës 18 prill në Beograd. Pasi kishte fituar dy ndeshjet e para, fillimisht ndaj rumunit Marcel Nistreanu dhe më pas kundër kroatit Petar Kresimir Knezeviç, Alban Beqiri u ngjit dje në ring për ndeshjen çerekfinale të peshave 71 kg.
Kampioni kuqezi kishte përballë turkun Erdemir Tugrulhan, një rival shumë i fortë dhe me eksperiencë të madhe në kompeticionet ndërkombëtare. Ndërsa ky duel e fuste në zonën e medaljeve fituesin. Ndonëse provoi të jepte më të mirën, Beqiri nuk ia doli, pasi triumfi shkoi për turkun. Tugrulhan u paraqit më mirë në dy raundet e para, ndërsa Beqiri reagoi në raundin e tretë, me ndeshjen që u mbyll me pikë në favor të turkut. Gjithsesi, ndonëse jashtë zonës së medaljeve, Beqiri zhvilloi një Europian për duartrokitje.
Kujtojmë që Alban Beqiri regjistron rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave për boksin shqiptar në arenën ndërkombëtare, teksa në vitin 2021 fitonte medaljen e bronzit në Kampionatin Botëror, e vetmja për vendin tonë në një eveniment të tillë. /panoramasport/