Pse fituesi i Kupës së Kosovës i intereson edhe Llapit, Dritës dhe Malishevës?

Në mesjavë do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës, ku përballë do të jenë Prishtina dhe Ballkani në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Prishtina siguroi finalen pasi eliminoi Dritën në gjysmëfinale, ndërsa Ballkani ishte më i mirë se rivali lokal Suhareka.

Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 15:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku madje do të dihet edhe klubi i katërt që do të luajë në garat evropiane.

Ballkani tashmë me sigurimin e titullit të kampionit ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, ku do të luajë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, shkruan Telegrafi.

Garat evropiane i kanë siguruar edhe Llapi dhe Drita, por se ku dhe si do të luajnë do të dihet pasi të mbyllet finalja e Kupës së Kosovës.

Pse Kupa e Kosovës shikohet me interesim edhe nga Llapi, Drita dhe Malisheva?

Nëse Prishtina e fiton Kupën e Kosovës për të dytin vit me radhë, atëherë sezonin e ardhshëm do të garojë në kualifikimet e Ligës së Evropës.

Kjo do të thotë se kampioni i Superligës së Kosovës dhe fituesi i Kupës së Kosovës do t’i kenë dy mundësi në Evropë.

Fituesi i Superligës nëse eliminohet në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve, shkon në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, gjë që ndodh edhe me fituesin e Kupës së Kosovës shkruan Telegrafi.

Llapi, Drita dhe Malisheva fërkojnë duart që Ballkani të fitojë Kupën e Kosovës, pasi do të thoshte qindra mijëra euro më shumë për to nga garat evropiane.

Siç e cekëm më lartë, Llapi dhe Drita i kanë siguruar garat evropiane, ku të dy skuadrat do të luajë në Ligën e Konferencës nëse Prishtina e fiton Kupën e Kosovës, Llapi nga raundi i dytë, ndërsa Drita nga raundi i parë.

Por në rast se Ballkani e fiton Kupën e Kosovës, është një asistim për Llapin, Dritën dhe Malishevën.

Kjo pasi Llapi si vendi i dytë, kalon në raundin e dytë të Ligës së Evropës, ndërsa Drita kalon në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Në anën tjetër Malisheva si e katërta do të luante për herë të parë në garat evropiane, nga raundi i parë i Ligës së Konferencës. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Ballkani dominues në sezonin 2023/2024 – statistikat që qëndrojnë mbrapa titullit kampion

Sukses historik, Rahoveci në finale