Zyrtarizohet kërkesa e Bashkimit për BIBL

Liga Ballkanike ka filluar kampanjën lidhur me stinorin e ri 2015/16. Drejtuesit e kësaj lige kanë dërguar në Federatat përkatëse dokumentet dhe Rregulloret e nevojshme për pjesëmarrësit potencial.

Aty thuhet që Sigal Prishtina dhe Peja janë të interesuara që të marrin pjesë përsëri në BIBL, mirëpo për shkak se interesim për këtë ka shfaqur edhe ekipi i tretë, atëherë gjërat duhet të shqyrtohen dhe rikonfirmohen, shkruan faqja zyrtare e Balkan League.

Bashkimi ka dërguar kërkesë zyrtare për pjesëmarrje në Balkan League dhe për këtë nesër, të hënën, drejtori i BIBL, Shay Shtriks, do të vizitojë qytetin dhe të takojë menaxhmentin e ekipit për të shikuar kushtet dhe mundësitë për futjen e Bashkimit në këtë garë.

Pas kësaj, do të diskutohet me Pejën dhe Sigal Prishtinën, para se të përmbyllet gjithçka me Federatën e Basketbollit të Kosovës – ku do të përcaktohen përfundimisht dy skuadrat pjesëmarrëse nga Kosova në Balkan League.

Borozani.com ka njoftuar për takimin tre ditë më parë, që tashmë u zyrtarizua edhe nga Balkan League.

Stinori i ri i BIBL fillon më 13 tetor, ku kampion në stinorin e fundit u shpall Sigal Prishtina. (Borozani)