Zyrtare: Vendoset data e finales së Botërorit të Katarit

Finalja e Botërorit të Katarit do të luhet më 18 dhjetor 2022. Ky ishte vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-së, që përcaktoi dhe datën se kur do të luhet data e kompeticionit më të diskutuar në historinë e Kupave të Botës, që do të jetë njëkohësisht dhe i pari që do të luhet në dimër.

Qeveria e futbollit botëror vendosi për këtë datë, e cila është sigurisht e diel, por gjithashtu dhe Festa Kombëtare e shtetit të Katarit.

Lajmi u konfirmua nga ana e drejtorit për marrëdhëniet me shtypin të FIFA-së, i cili me shaka shtoi se në këtë mënyrë të gjithë do të kenë mjaftueshëm kohë për të menduar dhe për dhuratat e Krishtlindjes.

Pak javë më parë FIFA vendosi që Botërori të luhej në dimër, për shkak të temperaturave të larta në këtë vend gjatë verës, të cilat tejkalojnë dhe 40 gradë celcius.

Gjithashtu u bë e ditur se Botërori ndryshe nga zakonisht mund të zgjasë 28 ditë, nga 31 apo 32 ditë që është kohëzgjatja e tij normale. Gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv u vendos gjithashtu që Botërori i femrave për 20-vjeçaret të luhet në Francë, që fitoi përballë kandidaturës së Koresë së Jugut.