Zyrtare: Tirana-Partizani luhet në “Qemal Stafa”

Klubi i Partizanit pranoi kërkesën e tifozëve të kuq që derbi të luhet në Tiranë e pikërisht në Qemal Stafa.

Në fund ka fituar arsyeja dhe buonsensi, në fund ka fituar futbolli. Derbi i kryeqytetit, Tirana – Partizani do të shfaqet me gjithë madhështinë, në qytetin dhe impiantin që meriton.

Klubi i Partizanit pranoi kërkesën e tifozëve të kuq që derbi të luhet në Tiranë e pikërisht në Qemal Stafa. Në këtë mënyrë saga e derbit të javës së 24-ët përfundon me verdiktin: derbi do të luhet në kryeqytet në datën 12 mars me orarin që mbetet për tu përcaktuar. Të gjendur përballë mundësisë eventuale që derbi të degdisej në stadiumin e Shkumbinit në Peqin, ku për shkak të infrastrukturës do të mund të ishin prezentë një numër minimal prej 400 tifozësh, tifozët e kuq të grupimit Ultras Guerrils, dolën me një qëndrim zyrtar mbrëmjen e së enjtes ku i kërkonin klubit që derbi të luhej në impiantin ndërkombëtar Qemal Stafa.

Ky qëndrim i ultras guerrils lidhej me dëshirën për të qenë sa më të shumtë në numër në stadium përballë rivalëve të përjetshëm bardheblu si dhe që askush të mos privohej nga e drejta dhe mundësia për të mbështetur ekipin e tij të zemrës. Kjo kërkesë e ultras Guerrils vinte pas marrëdhënies së tyre të tensionuar me klubin të krijuar nga eleminimi i Partizanit nga Kupa e Shqipërisë në Lac. Poicionimi i tifozëve ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm te drejtuesit e skuadrës. Klubi i Partizanit ka konfirmuar vullnetin që ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar të luhet për dhe me tifozët. Në këtë mënyrë nuk ka qenë e vështirë në rikthimin e dakordësisë me Tiranën si skuadër pritëse që derbi të luhet në 12 mars. Saga e derbit në këtë mënyrë përfundon me një fund të lumtur, Partizani ka fituar sërish tifozët, Tirana ka fituar të drejtën për të organizuar një derbi sic duhet, derbi ka fituar madhështinë e plotë, ai që ka fituar është vetë futbolli.