Sulmuesi i Manchester Unitedit, Mason Greenwood, është arrestuar me dyshimin për përdhunim dhe sulm fizik.
Policia ka konfirmuar se 20-vjeçari është duke u mbajtur në paraburgim pas pretendimeve që u bënë publike mëngjesin e të dielës.
Siç transmeton The Sun, policët janë parë para shtëpisë së tij këtë mbrëmje duke i pasuar lajmet për arrestimin e tij.
Ndërkohë, klubi i tij e ka suspenduar lojtarin deri në kohë të pacaktuar duke thënë se nuk do të kthehet në stërvitje e as nuk do të zhvillojë ndeshje “deri në njoftimin e radhës”, meqenëse Manchester Unitedi “nuk pranon asnjë lloj dhune”.
“Policia është njoftuar më herët gjatë ditës së sotme (e diel, 30 janar) për imazhet dhe videot në rrjetet sociale të postuara në internet nga një femër që raportonte incidente të dhunës fizike”.
“Një hetim është nisur dhe pas hetimeve mund të konfirmojmë se një burrë në të 20-at është arrestuar me dyshimin për përdhunim dhe sulm fizik”.
“Ai mbetet në paraburgim për t’u marrë në pyetje. Hetimet janë në vazhdim”, ka thënë një zëdhënës i policisë në qarkun Greater Manchester.
Kujtojmë që e dashura e Greenwood, Harriet Robson, ka postuar disa fotografi tronditëse të lëndimeve të rënda që ajo ka pësuar, duke pretenduar se është viktimë e abuzimit nga futbollisti anglez.