Zyrtare: Milani vendos për të ardhmen e Inzaghit

41-vjeçari italian është rikonfirmuar në krye të klubit kuqezi dhe tashmë do të ketë një javë kohë për të treguar vlerat e tij

Filippo Inzaghi mund të marrë frymë lirisht pasi sfida ndaj Veronës nuk do të jetë e fundit për të në stolin e Milanit. 41-vjecari italian është rikonfirmuar në krye të klubit kuqezi dhe tashmë do të ketë një javë kohë për të treguar vlerat e tij. Ndaj Fiorentinës të hënën e ardhshme Inzaghi do të luajë gjithcka për gjithcka pasi një tjetër rezultat negativ ndaj vjollcëve të Montellës do të sillte shkarkimin e tij. Vendimi është marrë nga presidenti Berlusconi i cili është ndikuar shumë edhe nga mendimi i Adriano Gallianit i cili ka këmbëngulur për rinkonfrimimin e Inzaghit. E diela ka qenë një ditë e ngjeshur me impenjime për numrin 1 të Milanit. Berlusconi i cili ka qëndruar gjatë gjithë kohës në vilën e tij në Arcore pas disa telefonatave që ka pasur me Gallianin ka vendosur t’i japë edhe një mundësi të fundit Superpipos.

Në fakt Silvio Berlusconi pasi pa paraqitjen e shëmtuar që bëri skuadra në takimin ndaj Veronës ishte gati ta shkarkonte Inzaghin por fjalët e Gallianit bënë që ai të ndryshonte mendim dhe t’i jepte edhe një tjetër shans 41-vjecarit. Shans që Inzaghi nuk duhet ta shpërdorojë pasi nëse Milani humbet përballë Fiorentinës, stoli i tij mund të lëkundet seriozisht. Alternativa e parë e Inzaghit mbetet zëvendësi  i tij Mauro Tassoti ndërkohë që një tjetër mundësi është trajneri i skuadrës së të rinjëve Christian Brocchi edhe pse ky i fundit nuk bind plotësisht.