Zyrtare: Milan shitet te RedBird për 1.2 miliardë euro

1 qershori 2022 do të kujtohet si dita në të cilën klubi kuqezi kalon nga duart e Fondit Elliot te ato të RedBird Capital. Një tjetër fond, gjithmonë nën flamurin me yje e shirita.

Siç ishte kuptuar një ditë më parë, ku ishte regjistruar rikthimi në Milano i Gerry Cardinale, numrit 1 të RedBird, këtë të mërkurë erdhi dhe lajmërimi zyrtar, pas signin, (thënë në shqip firmat në kontratën paraprake të shitblerjes). Në komunikatën zyrtare shkruhet “RedBird Capital Partners dhe Elliot Advisors UK Limited lajmërojnë se kanë nënshkruar një akord përfundimtar për blerjen nga ana e RedBird të Shoqërisë së Futbollit Milan, kampion i ri i Serie A.

Kalimi nën pronësinë e re do të ndodhë gjatë verës, me transaksionin që parashikohet të përfundojë deri në shtator 2022. Akordi që e vlerëson klubin 1.2 miliardë parashikon që Elliot të ruajë një përfaqësim financiar minorancë në klub, si dhe disa përfaqësues në Këshillin e Administrimit, duke konsoliduar kështu një partnership mes RedBird dhe Elliot që do ti japë vazhdimësi progreseve të arritura nën drejtimin e Elliot në 4 vitet e fundit.

Prioriteti i RedBird është që të vazhdojë punën me aspektin sportiv dhe menaxhimin e klubit për ti dhënë vazhdimësi rrugëtimit të Milanit, duke synuar një rikthim në majat e futbollit botëror. Kombinimi i sukseseve në fushë, strategjisë se blerjeve dhe zhvillimit të lojtarëve të rinj dhe menaxhimit komercial global të nivelit më të lartë, bashkëngjitur me eksperiencën e RedBird në udhëheqjen dhe zhvillimin e markave sportive ndërkombëtare do të garantojnë një të ardhme edhe më të ndritshme për historinë legjendare të Milan”.

Nuk mungoi edhe një deklaratë nga Gerry Cardinale, themelues dhe partner menaxhimi i RedBird i cili u shpreh. “Jemi të nderuar që bëhemi pjesë e historisë së madhe të AC Milan dhe na entuziazmon perspektive për të shkruajtur kapitullin e ardhshëm të klubit pikërisht në momentin në të cilin është rikthyer të zërë me meritë pozicionin në krye të futbollit italian, duke e patur tanimë vështrimin për objektiva të tjerë në nivel evropian dhe botëror“.

Basketbollisti i Trepçës largohet nga Kosova, një ditë para finales së katërt

Arbnor Morina: Kosova ka gjasa reale për ta kaluar grupin