ZYRTARE: Largohet kryesia e Vëllaznimit, vjen kryesi e re

Kryesia e K.F.”Vëllaznimi” në mbledhjen e mbajtur më 26.06.2015, e ka aprovuar kërkesën e kryetarit dhe nënkryetarit të deritashëm të Klubit, Mentor Nela respektivisht Pashë Daija, që për  shkak të angazhimeve personale profesionale, të lirohen nga funksionet e deritashme, thuhet në një komunikatë për media.

Me këtë rast, kryetar i ri i K.F.”Vëllaznimi” u zgjodh anëtari i deritashëm i kryesisë, Faton Batusha, i cili ka kohë që rregullisht e mbështet klubin.

“Në këtë mbledhje, anëtarë të ri të kryesisë së klubit janë zgjedhur Xhelal Kaqi, Jeton Mamusha dhe Shpat Dina, ndërsa kryetari i ri, në përputhje me kompetencat që ia lejon statuti i klubit, brenda pak ditësh do ta kompleton kryesinë e re edhe me dy anëtarë të tjerë. Menaxher i klubit është emëruar Bujar Guta, ndërsa kryesia e klubit në përbërje të re, tashmë ka filluar kontaktet me trajnerët e mundshëm që do ta udhëheqin skuadrën e Vëllaznimit në edicionin e ardhshëm të garave (2015-2016) dhe së shpejti do të zgjedh shtabin teknik në përbërje të re”, thuhet në fund të komunikatës.

Vëllaznimi do të garojë në Ligën e Parë, pas humbjes së statusit të elitarit.