Zyrtare: Ky është super-transferimi i parë i Prishtinës (FOTO)

Ashtu siç ka raportuar Gazeta Olle javë më parë, Prishtina sot e ka zyrtarizuar transferimin e parë pas mbylljes së kampionatit.

Skuadra bardhekaltër ka transferuar mesfushorin e Trepçës, Ergyn Ahmeti.

Ai është prezantuar me fanellën e skuadrës bardhekaltër.

Ergyn-Ahmeti-9qershor2017

 

“Skuadra bardhekaltër sot pas një javë pushim ka rinisur fazën përgatitore për ndeshjet kualifikuese të UEFA Evropa Ligës. Dhe në stërvitjen e parë është zyrtarizuar edhe përforcimi i parë, Ergyn Ahmeti.

Mesfushori 21 vjeç, i lindur më 21.12.1995 në Mitrovicë në skuadrën tonë vije nga skuadra e Trepçës. Ahmeti është i gjatë 181 cm dhe luan me këmbë të djathtë në rolin e mesfushorit ofensivë dhe organizator. Shkollën e futbollit ka përfunduar në Trepçën ’89, por afirmimin ka arritur me Trepçën, së pari duke e promovuar në Superligë pas një viti garash në Ligën e parë 2015/16, e pastaj është vlerësuar si futbollisti më i talentuar dhe më i miri i Trepçës në edicionin e sapo përfunduar ku ka shënuar 5 gola dhe ka asistuar në 7 sosh”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prishtinës.

prishtina

Edhe Ahmeti është shprehur shumë i lumtur që u transferua te Prishtina.

“Për Prishtinën nuk kam pasur dilema ta zgjedh, është klubi më i trofeshëm dhe më i madhi në Kosovë. Besoj se kam vepruar shumë mirë që kam ardhur në Prishtinë me të cilën patjetër që synojmë trofe, pra titullin e kampionit dhe të përfaqësohemi sa më mirë në Evropë”.

“Ndërsa, nuk jam tip që i frikësohem konkurrencës, përkundrazi ajo është e mirë dhe të shtyn të japësh maksimumin nga vetja”, ka thënë Ergyn Ahmeti për faqen zyrtare të klubit.

arsim thaci