Zyrtare: FIFA ia shkëputi kontratën për shkak të borxheve, Zekirija Ramadani largohet nga Gjilani

Zekirija Ramadani nuk është më trajner i Gjilanit.

Trajneri shkupjan ka bërë të ditur se ka qenë shtëpia më e madhe e futbollit botëror FIFA që i ka shkëputur kontratën me SC Gjilanin.

Ramadani është ankuar në FIFA për borxhin që i kishte klubi kosovar dhe shtëpia më e madhe e futbollit botëror ka vepruar duke i shkëputur kontratën Gjilanit.

Ka qenë vet Ramadani që ka njoftuar për largimin nga Gjilani, duke thënë se ka pritur 10 ditë për ndonjë ndryshim, por nuk ka parë asgjë dhe ka vendosur të largohet.

“Mirupafshim SC Gjilani. Pas një periudhe tepër të vështirë erdhi edhe fundi. Para dhjetë ditëve FIFA shkëputi kontratën time me ekipin e Gjilanit, por unë deri sot kam pritur për ndonjë ndryshim të situatës në klub”.

“Pasi që nuk ka asnjë ndryshim, vendosa t’i jap fund pritjes dhe të mendoj për të ardhmen time si trajner. Falënderoj të gjithë ata që ishin afër klubit në këtë periudhë mjaft të vështirë. Posaçërisht falënderoj futbollistët, sepse ata, pavarësisht miliona problemeve, dhanë maksimumin dhe janë më meritorët që klubi i Gjilanit sot është në këtë pozitë”, ka shkruar Ramadani. /Gazeta Olle/

Ferizaj bën goditjen e madhe, nënshkruan me mbrojtësin maqedonas me një super karrierë

FFK shpall formacionin e vitit 2022 në Albi Mall Superligë