Zyrtare: Ferhan Hasani largohet nga Shkëndija

Shkëndija dhe Ferhan Hasani kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin. Ka qenë vetë ‘Buba’ që drejtuesve u ka parashtruar kërkesën për prishjen e kontratës një vit para skadimit të saj (qershor 2024).

32 vjeçari vlerëson se është koha për të liruar hapësira për gjeneratat e reja, ndërsa ka shkëputur marrëveshjen pa kurfarë kompensimi material, thuhet në njoftimin zyrtar të Shkëndijës.

“Ferhan Hasani është një prej futbollistëve me kontribut të madh në historinë e Shkëndijës. Emri i tij lidhet me pjesën më të madhe të sukseseve të klubit dhe ai gjithmonë do të mbetet ikonë e skuadrës tonë. Vlerësimi i tij është se ky është momenti për tu tërhequr nga klubi dhe ne kemi respektuar kërkesën e tij”, është shprehur drejtori sportiv i KF Shkëndija, Harun Isa.

“Mendoj se është koha më shumë hapësirë tu jepet gjeneratave të reja. Ndjej se nuk kam çka të ofroj më shumë në terren dhe vlerësoj se vendin tim mund ta shfrytëzojë dikush tjetër. Shkëndija është pjesë e jetës sime dhe klubit i uroj gjitha të mirat. Do të luaja edhe një sezon në ndonjë ligë më të ulët evropiane ku ngarkesat mund të përshtaten me mundësitë e mia fizike, para se të mbyll përfundimisht karrierën si futbollist”, deklaron tashmë ish-kapiteni i Shkëndijës, Ferhan Hasani.

Buba Hasani mbetet një prej futbollistëve me më shumë trofe në historinë e Shkëndijës, me 5 të tillë. Me kuqezinjtë ka luajtur në tre etapa të ndryshme (2009-2012, 2015-2018 dhe 2021-2023), ndërsa ka fituar dy herë kampionatin (2011 dhe 2018), dy Kupa (2016 dhe 2018) dhe një Super Kupë (2011).

Tare e mbyll me Lazion, dy klube gjermane e duan për drejtor sportiv

Man City dhe Real Madrid në kërkim të finales, formacionet zyrtare