Zyrtare: Aranzhohen dy miqësore Turqi – Kosovë

Marrëdhëniet e mira ndërmjet dy federatave kanë bërë që Përfaqësuesja e Kosovës në futsall të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Turqinë.

Kështu ka njoftuar përgjegjësi i Përfaqësueseve në kuadër të FFK-së, Artan Govori.

“Mund t’ju konfirmoj se Përfaqësuesja e Kosovës në futsall do të qëndrojë në Turqi prej 13 deri më 16 mars dhe atje do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Turqinë”, theksoi Govori për Gazetën Sheshi.

Ndeshjet do të zhvillohen më 14 e 15 mars. Ndryshe, kryetari i Komisionit për Futsall, Rasim Gimolli bashkë me përzgjedhësit, Ramadan Cimili dhe Adnan Hyseni kanë garantuar se do ta japin maksimumin që të kthehen kokëlartë prej Turqisë.

Kujtojmë se turqit ishin në Kosovë në muajin shkurt në kuadër të turneut tradiconal në futsall, “Adem Jashari” dhe u mposhtën pikërisht nga Kosova.