Zyba: Atmosfera brenda grupit është fantastike, kemi kualitet të marrim rezultat pozitiv ndaj Zvicrës

Kombëtarja e Kosovës pas fitores së realizuar kundër Izraelit u është rikthyer stërvitjeve për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen kundër Zvicrës, që zhvillohet më 18 nëntor në Bazel.

Kombëtares në grumbullim iu kanë bashkuar edhe Florent Hadërgjonaj dhe Mërgim Vojvoda, të cilët munguan në ndeshjen e parë, derisa në stërvitje ka munguar Vedat Muriqi, i cili është lënduar në pjesën e dytë kundër Izraelit dhe tashmë pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se do t’i humbasë dy ndeshjet e fundit të kësaj fushate kualifikuese.

Atmosfera tek kampi i Dardanëve është shumë e mirë, teksa si zakonisht përkushtimi në stërvitje është maksimal. Në seancën e sotme përzgjedhësi Gliha dhe ndihmësit e tij kanë punuar me lojtarët kryesisht në aspektin tekniko-taktik, duke ndërtuar kësisoj strategjinë e lojës për duelin me helvetikët.

Pas stërvitjes opinionin e tij rreth paraqitjes kundër Izraelit dhe pritjeve të tij për duelin e radhës në Bazel e dha mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba.

 “Është mirë që ne kemi fituar kundër Izraelit dhe kjo është shumë e rëndësishme, por edhe ne si futbollistë të Superligës kemi bërë paraqitje të mirë. Shpresoj që të qëndrojmë me këmbë në tokë, të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe të rritemi gradualisht”.

Përballja me Zvicrën? Patjetër që ne do të japim gjithçka nga vetja sepse çdo ndeshje e vlerësojmë maksimalisht. Padyshim se Zvicra është një kundërshtar shumë i fortë, por ne mendojmë të japim maksimumin dhe pse jo të mos marrim rezultat pozitiv”.

“Mendoj se kemi kualitet brenda grupit dhe kemi një atmosferë fantastike, prandaj pse të mos shpresojmë në rezultat pozitiv, kur i kemi mundësitë për ta arritur një gjë të tillë”, ka thënë Zyba.

Stërvitjen e radhës Kosova e zhvillon të mërkurën në orën 11:00 në Kampin Nacional në Hajvali. /Gazeta Olle/

Berisha: Në Zvicër stadiumi do të jetë i mbushur me shqiptarë, duhet të jemi të bashkuar

Stadiumi i “harruar” i Vllaznisë së Pozheranit (Video)