“Zviceranët iu gëzuan shortit me Shqipërinë”

Ka qenë pjesë e kuqezinjve, por gjatë këtij edicioni nuk i ka mbërritur asnjë ftesë nga trajneri De Biazi. Megjithatë, në një intervistë për “Panorama Sport”, Jahmir Hyka rrëfen ndjesinë për kuqezinjtë dhe, mbi të gjitha, reagimet e zviceranëve pasi u mësua shorti i “Francë 2016”. “Uroj që të më shohin se çfarë po bëj, pasi fatmirësisht po luaj rregullisht dhe po kaloj një periudhë të mirë. Nuk i humb shpresat për Kombëtaren”, shprehet ndër të tjera mesfushori i Luzernës.

I pyetur për shortin me Zvicrën ai tha: “Shumë emocionues, pasi edhe vëmendja e të gjithë zviceranëve ishte e përqendruar te kundërshtarët që do të kishin. Gjithashtu edhe për ne që jemi shqiptarë, kur pamë që përballë do të kishim Zvicrën filloi edhe të flitej pak më shumë rreth kombëtares sonë. Për ata kishte gëzim që na kishin në grup, ndërkohë që për ne ishte një lloj ndjesie e çuditshme. Kjo, për shkak të shumë futbollistëve shqiptarë që janë pjesë e Zvicrës”.