“Zizi” nderon legjendat

Legjenda e boksit shqiptar, Aziz Salihu do t’i nderojë sportistët më të mirë që njeh shqiptaria, që kanë dhënë dhe po japin kontribut të madh për kombin shqiptar, me një turne të boksit, i cili do të mbahet më 11 prill në orën 15:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. “Zizi” e ka mbajtur një konferencë për shtyp të hënën, ku ka dhënë detaje rreth këtij turneu, që mbahet në terren të hapur.

“Parashikohet të jetë një spektakël zbavitës, ngase, pos boksit do të ketë edhe program kulturor. Në spektakël janë ftuar edhe shumë sportistë të njohur shqiptarë të sporteve të ndryshme që bënë karrierë të suksesshme apo që tani i mbrojnë ngjyrat e shumë klubeve prestigjioze evropiane dhe kombëtareve të ndryshme. Sportistët që kudo që paraqiten po na zbardhin fytyrën si komb”, tha Salihu, shkruan Zëri.

“Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe që do të jetë një forcë sportive. I lumtë sportistëve që kanë kontribuar e po kontribuojnë dhe nuk po mundem më bërë më shumë diçka për ta, sepse ata meritojnë shumë më shumë se një turne. E falënderojë Ministrinë e Sportit që më sigurojë mjete për ta mbajtur turneun”, shtoi ai.

Legjenda e boksit tha se do të jetë një spektakël për mbamendje, përcjell Zëri. “Marrin pjesë 10 boksierë shqiptarë, në 10 kategori, po ashtu janë edhe 6-7 shtete. Në program janë 8 deri 10 meçe dhe shpresoj se të gjitha luftërat do të janë të nivelit të lartë. Jam duke punuar disa ditë rresht që gjithçka të jetë ashtu si duhet dhe të jemi shembull për të gjithë se si organizohet një turne në ambientet e hapura dhe besoj se edhe shikueshmëria do të jetë e madhe, që do të kënaqen duke shikuar boks të mirë”, përfundoi Salihu.