Zhegrova kalon lëndimin, flet për kohë e rikuperimit dhe Përfaqësuesen e Kosovës

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës së Baselit, Edon Zhegrova, tash e gjashtë javë është jashtë fushave te blerta.

Zhegrova u lëndua në takimin që Baseli e fitoi ndaj Servettes me rezultat 3-0, ndeshje kjo e zhvilluar me 8 gusht të këtij viti.

Gazeta inFokus ka realizuar një intervistë ekskluzive me Edon Zhegrovën, i cili ka zbuluar se në këtë fundjavë do të kthehet për të luajtur në ndeshjen kundër Zurichit.

“Në fundjavë do të kthehem për të luajtur. E kam kaluar plotësisht lëndimin dhe do të jem i gatshëm për lojë të dielën kundër Zurichit”, tha fillimisht ai.

Talenti prishtinas ishte duke kaluar në super formë kur u lëndua, por ai premton se do të rikthehet edhe me i fortë.

“Po, e kam filluar sezonin shumë mirë, por ndodhi ky lëndim i vogël që është normale në këtë sport, por do të kthehem edhe me i fortë”, deklaroi Zhegrova për Gazetën inFokus.

Sulmuesi i Baselit thotë se i kanë munguar shumë ndeshjet e Kosovës në muajin shtator dhe shton se do të jetë se bashku me ‘Dardanët’ në tetor.

“Po, normalisht që i kam shikuar dhe me kanë munguar shumë ndeshjet e Kosovës. Besoj se do t’i ndihmoja shumë në tri takimet që kam munguar, por do të jem aty në tetor”, u shpreh ylli kosovar.

Për fund Zhegrova ka potencuar se pret ftesën e Kosovës për dy ndeshjet e muajit tetor.

“Po, gjithmonë unë pres ftesën e kombëtares së Kosovës”, përfundoi Edon Zhegrova.

Në sezonin e ri Edon Zhegrova ka bërë pesë paraqitje me Baselin, ku ka realizuar 1 gol dhe tre asistime.

Sulmuesi nga Prishtina tash e tri vjet është rregullisht i grumbulluar me kombëtaren e Kosovës.

Më në fund, Juventusi shënon fitoren e parë në Serie A

Challandes e ngrit në qiell yllin e Kosovës: Që 40 vite karrierë nuk kam parë lojtar më të shpejtë