Zgjedhjet në FFK, vjen reagimi nga MKRS: Bëjmë thirrje për proces të rregullt e të bazuar në norma statutare

Zgjedhjet në Federatën e Futbollit të Kosovës është tema më e nxehtë në javët e fundit në vendin tonë.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi kërkon një mandat të ri, teksa përballë tij pritet të jetë djali i ish-legjendës Fadil Vokrri, Gramozi.

Në javët e fundit ka pasur debate shumë të ashpra të udhëheqësve aktual të FFK-së dhe ‘opozitës’, derisa ka ardhur edhe një reagim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS ka ardhur me një reagim ku ka thënë se janë duke përcjellë të gjithë atë që po ndodh rreth zgjedhjeve të reja në FFK dhe ka bërë thirrje për proces të rregullt e të bazuar në norma statutare.

Reagimi i plotë nga MKRS:

Sqarim:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) po e ndjek me vëmendje rrjedhën e zhvillimeve në Federatën e Futbollit të Kosovës, veçanërisht debatet e fundit rreth respektimit ose jo të normave statutare të FFK-së në raport me procesin zgjedhor.

Kredibiliteti, gjithëpërfshirja, respektimi i normave të së drejtës si dhe mundësitë e barabarta në organizata e federata sportive, janë parimet udhëheqëse mbi të cilat Ministria e Sportit ndërton dhe promovon bashkëpunimin me këto federata/organizata.

Ne jemi duke punuar intensivisht në reformimin e kornizës së politikave publike dhe asaj ligjore në fushën e sportit e cila do të ndryshojë rrënjësisht shpërndarjen e resurseve publike dhe përdorimin e masave administrative në funksion të arritjes së qëllimeve e objektivave strategjike të Qeverisë për sportin si nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm.

Ministria e Sportit e kupton mjaft mirë domosdoshmërinë e respektimit të vijës ndarëse në raportet mes autoritetit publik dhe organizatave e federatave sportive dhe poashtu të obligimeve e të drejtave reciproke në kuptimin e rregullimit ligjor të fushës së sportit me ligjet e Republikës së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të sillemi e të veprojmë vetëm brenda këtyre parimeve.

Raportimet se Ministria e Sportit ka zhvilluar akte normative me referencë në një federatë të vetme, janë tërësisht të pavërteta. Citimi i drafteve të akteve normative, në funksion të rivalizimit të brendshëm, është keqpërdorim dhe keqinformim me copëza të informatave që nuk e prezanton drejtë pozicionin e Ministrisë së Sportit në publik.

Ministria e Sportit është autoritet publik dhe ka hierarkinë e saj e cila poashtu ka të përcaktuara qartësisht autorizimet e veta. Në këtë kontekst, qoftë komunikimi i qëndrimeve në publik apo edhe prezantimi i akteve normative për konsultim me publikun, ka autoritete, mjete e procedura se si realizohet kjo dhe jashtë kësaj, askush nuk mund t’a prezantojë qëndrimin e Ministrisë në publik.

Ne bëjmë thirrje për proces të rregullt e të bazuar në norma statutare të çdo federate dhe poashtu nxisim me gjithë fuqinë tonë, funksionalizimin e trupave brenda organeve të organizatave sportive në vend që të zgjedhin çdo rast me pretendime potencialisht të bazuara të normave statutare.

Ndërkohë, Ministria e Sportit do të vazhdojë gjithnjë e më fort të thellojë reformat strukturore që prekin kornizën legjislative, të politikave publike dhe të shpërndarjes së resurseve në funksion të ndryshimeve pozitive në sportin tonë, tashmë të domosdoshme. 

Këta ishin dy lojtarët e vetëm të PSG-së që nuk u fishkëllyen nga tifozët dje ndaj Bordeaux

Hasan Hyseni shpallet “Ylli i Javës” në Superligë