Zbulohet dëshira e madhe e Real Madrid: Nuk janë Mbappe e as Pogba

Në ditët e kaluara, Mino Raiola ka pranuar se dëshiron të dërgojë një lojtar të shkëlqyer te Real Madridi gjatë merkatos së ardhshme. Shumë kanë menduar menjëherë se bëhet fjalë për Paul Pogba. Kampioni francez prej vitesh lakohet te “Los Blancos” dhe është një dëshirë e vjetër e Zinedine Zidane, por siç duket në realitet, ai nuk është emri i madh që galaktikët po synojnë tani.

Real Madridi duket se ka një nevojë tjetër sot: i duhet një sulmues i shkëlqyer, që mund të alternohet me Karim Benzema. Eksperimenti “Jovic” është në fakt, të paktën për momentin, i pasuksesshëm, aq sa tashmë po mendohet huazimi i tij, në mënyrë që të rikthejë besimin. Ndërkohë, Mariano nuk ka qenë pjesë e planeve të klubit prej ca kohësh dhe është në merkato.

Objektivi i parë i madh i vërtetë për sulmin e bardhë do të ishte Mbappé, por ardhja e francezit brenda një kohe të shkurtër shihet si diçka e pamundur, ndërsa për Neymar ka dyshime mbi karakterin e tij. Pra, këtu futet në lojë një emër i ri: Erling Haaland. Xhevahiri i Borussia Dortmund, pavarësisht se është vetëm 19 vjeç, tashmë ka dëshmuar plotësisht se mund të luajë në nivele shumë të larta. 40 golat e shënuar vetëm në këtë sezon e demonstrojnë atë gjerësisht si bomber.

Real Madridi mund ta bëjë atë një nga lojtarët më të fortë në perspektivë, përballë një shpenzimi prej 75 milionë eurosh, një shifër jo e pamundur, nëse konsiderojmë merkaton e sotme në futboll. Haaland, i cili menaxhohet nga Mino Raiola, është në radarët e Real Madridit, pasi i ka tejkaluar të gjithë pritshmëritë. Lautaro Martinez, gjithashtu, do të ishte në planet e “Los Blancos”, por fakti që ai nuk ka një pasaportë komunitare e bën aktualisht të paarritshëm.