Zbulohen detajet e kontratës së Skukës, sulmuesi bëhet më i shtrenjti në histori të Superiorës – do të ketë super pagë

Xhuliano Skuka nis aventurën e re në Francë, ku do të jetë pjesë e Metz. Sulmuesi dibran kaloi me sukses testet mjekësore mëngjesin e së hënës dhe më pas firmosi një kontratë për 3 vite e gjysmë.

Supersport mëson ekskluzivisht detajet e kontratës, me Skukën i cili bëhet transferimi më i shtrenjtë nga kampionati shqiptar. Partizani do të përfitojë plot 1.4 milionë euro, duke arritur një transferim rekord! Paga e lojtarit do të ketë një progres në rritje: sezonin e parë do të përfitojë 330 mijë euro dhe do të shkojë në progresion deri ne vitin e fundit: 420 mijë euro.

Perveç rrogës, për Skukën do të ketë shumë bonuse si për aktivizimin, golat e shënuar dhe një bonus special nëse Metz ngjitet ne Ligue 1. Një hap i madh për futbollin shqiptar, që rrit ndjeshëm nivelin e merkatos në vendin tonë. Skuka i besoi këtë transferim menaxherit Shkumbin Qormemeti, i cili punoi prej disa ditësh për të konkretizuar këtë marrëveshje të bujshme.

Qormemeti thyen dhe rekordin e mëparshëm të transferimeve, me Peter Olainkën, i cili u largua për shifrën e 1.1 milionë eurove nga Skënderbeu tek belgët e Gent. Skuka realizon një rrugëtim fantastik, teksa i mjaftoi vetëm një vit kalendarik të Partizani për të shpërthyer.

Janarin e shkuar, drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, insistoi dhe me këmbëngulje arriti që ta transferonte te Partizani nga Dinamo, që nuk besonte tek ai. Për 24-vjeçarin pati oferta konkrekte nga Verona, që ofroi 750 mijë euro, dhe Bordeaux, me francezët që shkuan deri në 1 milion euro, por në fund, Metz e rriti ofertën, duke arritur dhe marrëveshjen me klubin e Partizani dhe lojtarin dibran.

Karriera e Skukës nisi tek Korabi ku dha sinjalet e para për cilësinë e tij, për t’u transferuar më pas tek Dinamo, skuadër ku nuk gjeti hapësira, gjë që i dha mundësinë për të kaluar te Partizani, për të shkëlqyer e për t’u bërë lojtari më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë nga kampionati shqiptar.

Në gjysmën e parë të këtij edicioni, Skuka shënoi 10 gola në 17 ndeshje, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë, ndërsa së fundmi është bërë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, ku është aktivizuar në 4 miqësore e ka shënuar dhe një gol ndaj Armenisë.

Karriera e Skukës tani merr një tjetër rrjedhë, pasi ka mundësinë për të treguar vlerat dhe në futbollin e madh, e do të synojë që të ndihmojë të ngjitet në elitën e futbollit francez, teksa aktualisht skuadra e tij e re ndodhet në vendin e tretë me 31 pikë, me dy pikë më pak se vendi i dytë që të çon në Ligue 1.

Fantastike, Ermal Krasniqi shënon në debutim në Superligën e Rumanisë

Debutimi i ëndrrave i Ermal Krasniqit në Superligën rumune, gol dhe asistim në derbi (Video)