Zbulohen detajet e kontratës Balaj – Vllaznia, sulmuesi i Kombëtares do të marrë mbi 400 mijë euro nga kontrata me klubin shqiptar

“Pa bërë largime, nuk do të ketë afrime”, pati deklaruar trajneri Mirel Josa përpara se Bekim Balaj të zyrtarizohej si sulmuesi i ri i Vllaznisë. Por, në merkato nuk kanë shumë rëndësi fjalët. Në fund kanë rëndësi vetëm veprimet dhe çfarë goditjesh bën. Vllaznia e ka bërë një goditje të rëndësishme, sepse Balaj është një lojtar i rëndësishëm dhe mund të shndërrohet në një pikë referimi për shkodranët tani e tutje.

SAKRIFICË E MADHE Të kthehesh 32 vjeç në kampionatin shqiptar mund të quhet sakrificë në aspektin sportiv, sepse gjasat janë që po mendon ta mbyllësh karrierën atje ku e ke nisur.

Natyrisht, del edhe jashtë radarëve të ekipit kombëtar, pasi trajnerët kuqezi janë kryesisht të “dashuruar” me ata që luajnë jashtë Shqipërisë. Por, sakrificë të jashtëzakonshme ka bërë edhe klubi i Vllaznisë.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se Balaj do të ketë një pagë prej 12 mijë eurosh në muaj për një kontratë 3-vjeçare. I gjithë transferimi llogaritet të ketë një kosto afro 430 mijë eurosh, ndërsa sulmuesi shkodran do të jetë pa diskutim futbollisti më i paguar i Superiores këtë sezon.

“Klubi i Futbollit Vllaznia në përmbushje të objektivave sportive, njofton se ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit për 3 sezone me lojtarin e Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj”, citohej në njoftimin e klubit shkodran.

DUELI ME TIRANËN Bekim Balaj ishte në fokusin e tri klubeve pretendente për titullin këtë sezon: Vllaznia, Tirana dhe Partizani.

“Demat” që kryesojnë aktualisht kampionatin, thjesht kishin bërë “sondazh”, por pa ndonjë këmbëngulje të madhe, ndërsa Tirana dhe Vllaznia po rivalizonin fort për shërbimet e shkodranit.

Gazeta mëson se edhe bardheblutë ishin të gatshëm që t’i jepnin afro 12 mijë euro në muaj shkodranit, por ama me një kohëzgjatje kontrate më të vogël (1.5 vite). Vllaznia e bëri diferencën pikërisht me këtë klauzolë: kontrata do të jetë 3-vjeçare.

ISHTE EDHE ÇËSHTJE ZEMRE Sulmuesi ka treguar për “Supersport” se pse zgjodhi të rikthehej në kampionatin shqiptar pas 13 vitesh (hera e parë dhe e fundit ka qenë me Vllazninë në sezonin 2009-2010).

“Me Vllazninë kam një lidhje shumë të fortë, fillimisht si tifoz dhe më pas kam pasur fatin të luaj. Prandaj jam shumë i lumtur që rikthehem për të veshur fanellën kuqeblu.

Zgjedhja nuk ka qenë shumë e vështirë, pasi Vllaznia është edhe çështje zemre, më shumë sesa ekonomike. Unë jam këtu për të ndihmuar skuadrën të arrijë objektivat dhe nuk jam thjesht për të mbyllur karrierën”, ka thënë afrimi i bujshëm i kuqebluve.

Ylli i Tiranës drejt transferimit te Ferencvarosi në Hungari

Zhegrova: Ka ardhur koha që Kosova të kualifikohet në Evropian