Ylli i “Adem Jasharit”

Xherdan Shaqiri nuk hezitoi të ndalej për të bërë ca foto me disa persona të stafit të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Xherdan Shaqiri kishte vetëm pesë minuta kohë para se të kthehej në Milano me aeroplan privat.

Por, ai nuk hezitoi të ndalej për të bërë ca foto me disa persona të stafit të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Pos fotove, Shaqiri ndërroi edhe ca llafe me personelin e aeroportit. U tregoi se edhe Kosova është vend i tij. Se e viziton me shumë kënaqësi sa herë që i jepet rasti.

“Do të vij sërish në Kosovë”, iu drejtua Shaqiri personave të stafit të aeroportit që po e përcillnin nga prapa.

Yllit të skuadrës italiane Inter nuk i ndahej fare buzëqeshja nga fytyra. Ai tregon se kaloi shumë mirë në vendlindjen e tij për dy ditë sa qëndroi.

“Kam kaluar shumë mirë në Zhegër. Takova familjarët e mi. Kisha edhe vizita të shumta nga gjithë Kosova”, thotë 23-vjeçari i lindur në Zhegër dhe i rritur në Zvicër, transmeton Koha.net. “Gjithmonë kaloj mirë në Kosovë”.

Ylli i Përfaqësueses së Zvicrës po kalon mirë edhe te skuadra e Interit. Ai është i kënaqur në skuadrën italiane, me të cilin ekip ka plane të mëdha.

“Nuk kam shkuar tek Interi për të qëndruar pak. Do ta respektoj kontratën me Interin. E kam zgjedhur me dëshirën time këtë skuadër, pasi ka projekt të mirë. Më ka pëlqyer projekti i Interit”, ka thënë Shaqiri të martën për gazetën “Koha Ditore”.