Nëse bazohemi në thënien “Dita e mirë shihet që në mëngjes”, atëherë viti 2022 duhet të jetë i “zjartë” për super-talentin e Shkëndijës së Tetovës, Dashmir Elezi.
17-të vjeçari që mban rekordin e “debutuesi më i ri” dhe “golashënuesi më i ri” në historinë e elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut (me vetëm 16 vite e 1 ditë), jep sinjale shumë pozitive në këtë fillim viti, duke shkëlqyer në ndeshjet kontrolluese të kuqezinjëve tetovarë në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë.
Elezi realizon 3 gola në dy ndeshje të Shkëndijës në tokën turke.
Fillimisht në ndeshjen përballë hungarezëve të BFC Siofok (barazim 2:2), Elezi pret mirë asistin e Manevskit në zonë dhe plason saktë në rrjetën kundërshtare, duke vulosur rezultatin final të takimit. Ndërkohë sot 17-të vjeçari gjeti dy herë rrjetën në sfidën Shkëndija-Piast Gliwice, ku kuqezinjtë mundën 4:1 ekipin polak.
Sulmuesi i ri fillimisht pranoi një super asist nga Florent Ramadani dhe me shpejtësi shmangu mbrojtësin, madje kaloi edhe portierin që kishte lëshuar portën duke plasuar topin për rezultat 1:3, ndërsa në minutën e 84-t zhvillon super aksion pas të cilit Shkëndija fiton penalti, ndërsa Elezi arsyeton besimin duke shënuar golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin.
Forma e shkëlqyeshme e shfaq Elezin si një përforcim shtesë për Shkëndijën edhe pse mund të rezultojë edhe si sinjal për transferim duke parë ofertat interesante dhe konkrete që arrijnë në adresë të klubit dhe lojtarit, thuhet në fund të lajmit të web faqes së Tv Alsat-M.