Xhaka nuk dëshiron t’i ndodhë te Leverkuseni ajo që përjetoi te Arsenali: Nuk mund ta shpjegoj me fjalë atë që përjetova vitin e kaluar

Bayer Leverkuseni është sensacioni i këtij viti në top pesë ligat evropiane kur janë zhvilluar 24 xhiro në kampionat deri më tani.

Aktualisht skuadra e udhëhequr nga trajneri Xabi Alonso ndodhet në krye të Bundesligas me 64 pikë, 10 më shumë se ndjekësi i saj më i afërt Bayern Munich. Leverkusen deri më tani ka 20 fitore dhe katër barazime duke mos pësuar asnjë humbje.

Granit Xhaka është lider i këtij Bayer Leverkuseni, që nuk di për humbje në të gjitha garat pasi ka gjashtë fitore në Ligën e Evropës nga gjashtë ndeshje si dhe katër fitore nga katër ndeshje në Kupën e Gjermanisë.

Leverkusen mori një fitore shumë të vështirë në fundjavë te Kolni, derisa tani kanë bërë një hap gjigant drejt titullit të kampionit.

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka është një lider në mesfushën e Bayer Leverkusenit, teksa ka folur për garën për titull duke thënë se ende asgjë nuk kanë fituar dhe duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë.

“Është mirë dhe ne mund të jemi krenarë për të, por asgjë nuk është fituar ende”, tha Xhaka për Archie Rhind-Tutt të ESPN menjëherë pas fitores së Leverkusen ndaj Kolnit.

“Po flas për përvojën time që kam pasur sezonin e kaluar. Mendoj se ishin pikë të ngjashme në të dytin dhe ne nuk e fituam ligën.

“E di përvojën, këtë e ndaj edhe me dhomën e zhveshjes, se sigurisht dhjetë pikë janë shumë në futboll, sigurisht, kur të mbeten dhjetë ndeshje. Por të kesh dhjetë pikë dhe 30 pikë të tjera që mund të marrësh, nuk ka mbaruar ende asgjë”, ka thënë Xhaka.

31-vjeçari ka qenë në situatë të njëjtë vitin e kaluar, kur Arsenali ishte 10 pikë para Manchester Cityt në këtë fazë të garave, por pastaj e humbën titullin.

Xhaka ka thënë se nuk mund ta përshkruajë me fjalë atë që ka ndodhur pasi edhe bashkëlojtarët te Leverkuseni e pyesin shpesh herë për këtë temë.

“Me siguri dhe ata e dinë sepse po më pyesin çdo ditë: “Ke qenë në këtë situatë… si ishte dhe çfarë ndodhi?. Unë përpiqem të shpjegoj, por nuk mund të shpjegosh me fjalë. Duhet ta ndjesh”.

“Le të qëndrojmë të përulur, të punojmë ditë pas dite siç po bëjmë gjatë gjithë sezonit dhe le të llogarisim dhe të shohim se ku jemi pas 34 ndeshjeve”, tha Xhaka.

Krejt në fund Xhaka falënderoi tifozët e Leverkusenit për mbështetjen e vazhdueshme që kanë treguar gjatë gjithë sezonit.

“Ishte diçka e veçantë për veten time, sepse e di se sa ndjenjë derbi për tifozët. Këtë ndeshje na duhej ta fitonim, nuk ka rëndësi sa mirë apo keq luan. Kjo fitore ishte më shumë për tifozët sesa për ne”.

“E shihni mbështetjen që patëm… Nuk e di sa njerëz ishin atje, por ne mund të themi vetëm faleminderit. Gjatë gjithë sezonit ata na kanë mbështetur, të mrekullueshëm, dhe ne duam t’u kthejmë atyre diçka dhe shpresojmë që sot të ishte diçka për t’u gëzuar”, deklaroi Xhaka.

Asllani realizon gol spektakolar për Interin (Video)

Ballkani konfirmon largimin e ndihmësit të Ilir Dajës