Xhaka: Milani më do ende, Cana më i miri

 I saposhpallur kampion në Zvicër me Bazelin, mes fushori i Kombëtares, Taulant Xhaka, tregon për “Pan orama Sport” emocionet e tij për titullin.

Jo vetëm kaq, por mesfushori flet për marrëdhëniet e tij me shqiptarët në skuadrën zvicerane dhe raportet e tyre ndaj lojtarëve të tjerë të ekipit. Karriera e tij është gjithmonë në rritje dhe pretendimet gjithashtu.

Mesfushori flet për merkaton, Kombëtaren dhe idhullin e tij te kuqezinjtë.

Jeni shpallur sërish kampion në Zvicër. Çfarë ndjesie ju dha ky titull me Baselin?

Normalisht që të finalizosh një sezon të gjatë me ngritjen e një trofeu, është diçka pozitive. Madje është mënyra më e mirë, sepse gjatë gjithë sezonit kërkon maksimumin në çdo ndeshje për këtë qëllim. Ndihem shumë mirë që arritëm të finalizonim si duhet një nga objektivat dhe që jemi ende në garë për një tjetër trofe, siç është Kupa. Më vjen mirë për veten dhe të gjithë skuadrën.

Si është të luash në një ekip me disa shqiptarë?

Është ndjesi shumë e mirë. Kjo edhe për vetë faktin se shqiptarët rezultojnë shumë të talentuar kudo që shkojnë.

A ju ngacmojnë shokët e skuadrës për këtë pjesë?

Ka pasur disa herë shaka në këtë pjesë, pasi ne kemi krijuar shoqëri dhe mund t’i pranojmë njëri-tjetrit shumë ngacmime. Megjithatë, në përfundim të çdo ndeshjeje, sa herë që ka diçka për të cilën duhet të urojmë njëri-tjetrin, bëhet me pastërti dhe pa asnjë pengesë për shkak të kombësisë.

A flisni për Kombëtaren me Gashin e Ajetin?

Patjetër që po! Flasim shpeshherë dhe për shumë gjëra rreth saj. Për shembull, diskutojmë se si mund të arrijmë që të kualifikohemi, apo për gjëra të ndryshme që ne lojtarët i hasim në grumbullim me ekipin Kombëtar.

 Po Albian Ajeti, a përfshihet në bisedat për Kombëtaren shqiptare?

Është një pyetje, së cilës nuk jam unë që duhet t’i kthej përgjigje. Albiani duhet të flasë vetë për këtë gjë (qesh…)

Çfarë duhet të përmirësojë Kombëtarja?

Kemi bërë një ecuri të mirë në pjesën e parë të kualifikueseve. Kemi marrë pikë që në fillim mund të dukeshin edhe të pamundura. Megjithatë, mund të them që pjesa e përqendrimit në një ndeshje është diçka që duhet ta kemi në nivelin maksimal. Edhe sikur një ndeshje të jetë 3-0 për ne, duhet që të jemi shumë të përqendruar.

Cila është pika e dobët e Kombëtares deri tani?

Ajo që përmenda më sipër, është diçka që duhet përmirësuar, megjithatë nuk mendoj se ka vend të flasim për pika të dobëta. Trajneri di me detaje çdo gjë rreth ekipit dhe ai mund të dijë më mirë se çfarë kemi pika të forta dhe të dobëta.

Çfarë ju pëlqen nga Kombëtarja?

Më pëlqen fakti që çdo lojtar jep më të mirën në fushën e lojës. Lojtarët mund të jenë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por të gjithë i bashkon fakti që në fushë luajnë me zemër dhe me shpirt.

Cili ka qenë momenti më i bukur gjatë këtij sezoni?

Titulli kampion është diçka shumë e bukur, por unë do të veçoj tjetër moment. Fitorja kundër Liverpulit në Champions League ka qenë me të vërtetë special.

 Po momenti më i vështirë?

Nuk mund të them momente të vështira. Por, ndeshja kundër Serbisë ka qenë ndeshja më emocionuese. Në disa ndeshje, keni luajtur edhe si fantazist te Bazeli, edhe pse është vëllai juaj Graniti që njihet për specifika të tilla.

A e krahasoni veten me të?

Unë nuk e krahasoj veten me asnjë lojtar në botë. Unë jam Taulant Xhaka që lufton si luan. Në Kombëtare, në ndeshjen me Armeninë keni luajtur si mesfushor krahu.

Në cilin pozicion ju pëlqen të luani?

Unë jam i gatshëm që të luaj kudo ku ka nevojë ekipi dhe kudo ku ka dëshirë trajneri.

Kjo është një përgjigje diplomatike dhe universale e futbollistëve. Insistoj, ju ku ndiheni më mirë?

Personalisht, ndihem më mirë kur luaj në qendër të mesfushës.

Është përfolur shumë herë emri juaj si dëshirë e Milanit.Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Është e vërtetë që kam pasur dhe që kam oferta nga Milano. Megjithatë, pjesa e merkatos nuk më intereson aspak, pasi unë kam një kontratë me Bazelin. Për pjesën tjetër, çfarë është e shkruar të ndodhë, le të ndodhë, ndaj nuk i kushtoj shumë rëndësi.

Kush është lojtari që ju ka bërë më shumë përshtypje në Kombëtare?

Lorik Cana për mua është lojtari më i mirë në Kombëtare, në të gjitha aspektet. Ai është një njeri që mund të na rrisë dhe përmirësojë shumë.