Xhaka: Është shumë e vështirë të na ndalin në këtë moment

Bayer Leverkuseni është lider i klasifikimit në Bundesligë. Nuk ka pësuar ende humbje këtë edicion dhe ishte shumë efektiv në fitoren 3:0 ndaj Eintracht Frankfurtit, të dielën.
“Unë dhe ekipi nuk e kemi pasur ndjenjën se ishim në rrezik”, ka thënë Granit Xhaka për “Bild”.

Xhaka, 31-vjeçar, po shkëlqen te Leverkuseni. Është yll i skuadrës, sipas gazetës së madhe gjermane.

Me 736 pasime, Leverkuseni ka shkatërruar Eintracht Frankfurtin.

Xhaka është shquar me angazhimin, si zakonisht. Ka vrapuar 12.7 kilometra, si asnjë lojtar tjetër.

“Në pjesën e dytë kemi bërë atë që na ka bërë të fortë gjatë gjithë kampionatit. Kemi luajtur thjesht, kemi lëvizur shumë pa top, kemi bërë presion të lartë dhe nuk i kemi lënë kundërshtarit thuajse aspak hapësirë për të marrë frymë. Mund të jemi shumë, shumë krenarë me veten”, ka shtuar Xhaka.

Sipas Xhakës, te Leverkuseni duhen të jenë më të durueshëm.

“E kemi bërë këtë shumë më mirë në pjesën e dytë se në pjesën e parë”.

Xhaka ka pranuar se Bayer Leverkuseni aktualisht po duket i pandalshëm.

“Natyrisht, është shumë vështirë të na ndalin në këtë moment, pasi po paraqitemi shumë mirë. Shpresojmë se do të vazhdojmë kështu”, ka thënë kapiteni i Zvicrës.

Leverkuseni i ka mbledhur 39 pikë nga 15 ndeshje. Ka 12 fitore e tri barazime. Bayerni është i dyti me 35 pikë nga 14 ndeshje. Pason RB Leipzigu me 32 pikë e Stuttgarti me 31 pikë.

Arinaldo Rrapaj shpallet futbollisti i vitit në kampionatin shqiptar

Presidenti i FIFA-s: Imagjinoni sa fantastike do të ishte të shikonim Shqipërinë në Kupën e Botës