Mbrojtësi ukrainas i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko i ka përmendur Kosovën dhe Shqipërinë ndër tri vendet e para gjatë një gare zhonglimi me top me bashkëlojtarin e vet nga Kosova, Granit Xhaka.
Xhakës, Zinchenkos dhe Rob Holdingut iu kërkua të përmendnin sa më shumë shtete derisa zhonglonin me topin, në një garë që e fitoi ky i dyti.
Xhaka, i cili e përfaqëson Zvicrën, e nisi i pari garën dhe shtetet e para që i përmendi ishin Shqipëria, Kosova, Ukraina dhe Anglia.
Ai i përmendi 12 shtete, por jo edhe Zvicrën.
Zinchenko, vendi i të cilit është në luftë me Rusinë tash e më shumë se një vit, e nisi pothuajse si Xhaka.
Granit Xhaka, Oleksandr Zinchenko & Rob Holding take part to see who can name as many countries as they can while doing keepy-uppies. 😂 [@Sportsbetio] #afc pic.twitter.com/GRPLqwaOvo
— afcstuff (@afcstuff) April 12, 2023
Ai e përmendi atdheun e vet Ukrainën të parën, pastaj Shqipërinë dhe Kosovën, për të vazhduar me 13 shtete në përgjithësi.
Holding, i cili i mposhti Xhakën dhe Zinchenkon duke i përmendur 15 shtete në përgjithësi, nuk e përmendi asnjërin nga këto shtete.
Xhaka është duke kaluar çastet më të mira në karrierë me klubin, pasi përveç aspektit personal, ai është në rrugë për t’u bërë kampion i Anglisë me Arsenalin për herë të parë.
Trajneri Mikel Arteta ka krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme në Emirates dhe kjo u pasqyrua në këtë video dhe në ndeshjet e topçinjve këtë sezon.
Arsenali është lider i Premierligës me një epërsi prej gjashtë pikëve ndaj rivalit Manchester City.