Xeni, Labi, Ilir Shaqiri e të tjerët: Koncert madhështor në Gjakovë për ‘shpëtimin e Vëllaznimit’

Kur bëhet fjalë për Vëllaznimit, e gjithë Gjakova ngrihet në këmbë. Ky qytet që frymon me ngjyrat kuqezi të këtij klubi, e ka ndërmarrë edhe një herë një iniciativë shembullore për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme financiare që e ka kapluar atë, transmeton Gazeta Olle.

“Kuqezinjët e Jakovës” e kanë organizuar një koncert të madh në palestrën sportive “Shani Nushi”, ku prezent përpos këngëtarëve dhe artistëve nga qyteti i Gjakovës, do të jenë edhe disa fytyra tjera eminente të estradës.

Lajmin e konfirmoi për gazetën njëri ndër iniciuesit, Qëndrim Zeka.

“Pas dy iniciativave të para, ku bredhëm për një muaj në çdo cep të qytetit për të mbledhur donacione për klubin, vendosëm ta organizojmë këtë koncert. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shumë këngëtarë e këngëtare, si Shkëlzen Jetishi, Ilir Shaqiri, Labinot Tahiri, Xhelal Kaçi, Edi Furra, Yllka Kuqi, Flaka Krelani, Florent Abrashi, Vesa Smolica, Albi Xhepa, Edi Ermeni, Jeton Cermjani, Festina Mejzini, Grupi J2L, e të tjerë”, tha Zeka për Gazetën Olle.

Mbrëmja do të mbahet më 4 mars në “Shani Nushi”, ndërsa bileta kushton 3 euro.

“Koncerti do të mbahet më 4 mars. Kemi marrë përkrahje të madhe nga e gjithë Gjakova. Bileta do të kushtojë 3 euro. Është një shumë e vogël parash, për të ndihmuar klubin tonë të zemrës. I bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të vijnë”, shtoi Zeka.

Koncerti do të fillojë në ora 19:00, të mërkurën ndërsa biletat kanë dalë në shitje. Gazeta Olle

11002629_863337907057735_6771452609972522965_n