Xabi Alonso trajneri model që udhëheq Leverkusen: Kur i kënaq lojtarët, ia del të marrësh maksimumin e tyre

Xabi Alonso dhe Bayer Leverkusen padyshim që mund të konsiderohen si surpriza më e këndshme e këtij sezoni.

“Apirinat” të udhëhequr nga spanjolli i dhanë shenjat që në sezonin e shkuar, por këtë vit po marrin frytet e punës dhe falë edhe një futbolli shumë tërheqës, gjenden të parët në Bundesliga me tre pikë më shumë se Bayern Munich.

Jo vetëm kaq, por Leverkusen i Alonsos është e vetmja skuadër e cila këtë sezon nuk ka pësuar asnjë humbje në pesë ligat kryesore të Europës. Në një intervistë të fundit, Xabi Alonso, lideri i Leverkusen, foli për dëshirën e tij të hershme për t’u bërë trajner si dhe shpjegoi mënyrën për t’i marrë më të mirën lojtarëve.

“Kur vendosa të bëhesha trajner, vendosa gjithashtu që do të merrja çdo etapë me radhë pa qenë nevoja për të nxituar. Kam kaluar shumë etapa që më kanë ndihmuar për të mbërritur në këtë pikë dhe të shndërrohem në trajnerin që jam sot.

Më ka tërhequr prej fillimit ideja e të qenurit trajner, kam mësuar nga pak kudo kam shkuar. Tek të rinjtë e Real Madrid mësova që t’i leja lojtarët e lirë dhe më pas t’i jepja ndonjë detyrë. Nëse arrin që të menaxhosh mirë situatat dhe t’i kënaqësh lojtarët, atëherë ia del edhe të marrësh maksimumin prej tyre.

E dija se do të bëja mirë në Gjermani, Bundesliga është një kampionat që e njoh në detaje dhe për këtë nuk kam frikë. Në Gjermani ka edhe shumë trajnerë të rinj dhe ndjehesh mirë për këtë fakt. Është ndryshe me Francën dhe Italinë, pasi unë nuk e njoh terrenin atje. Ndërsa prej Anglisë u bë kohë që jam shkëputur.

Në rolin e trajnerit më ka ndihmuar shumë edhe roli si mesfushor. Është një rol që të detyron të mendosh, të kesh ndjesi dhe vizion. Tani detyra ime është të përmirësoj çdo lojtar, ata janë protagonistët kryesorë”, u shpreh Xabi Alonso, i cili prej kohësh përflitet si pasuesi i trajnerit Carlo Ancelotti tek Real Madrid. /Gazeta Olle/

Njihuni me detajet e “shtëpisë” së Shqipërisë në Gjermani

KOK-u reagon pasi Prishtina është zgjedhur “Qyteti Evropian i Sportit”: Sukses në të cilin kontribuam edhe ne