Williams fiton në finalen e Miami Open

Gjithçka e lehtë për Serena Williams që mundi në dy sete 6-2 6-0 në finalen e Miami Open spanjollen Carla Suarez Navarro duke fituar për herë të 8-të në karrierë turneun që zhvillohet në Florida.

Diferencat mes numrit 1 të Botës në klasfikimin e WTA dhe kundërshtares së saj ishin mëse të dukshme dhe baraspesha në këtë takim zgjati vetëm në 4 game-t e para ku të dyja tensitet ruajtën turin e shërbimit sepse më pas Williams e theu dy herë me topat e saj Suarez Navarron duke e fituar setin e parë me shifrat 6-2.

Në setin e dytë tenistja spanjolle nuk arriti për asnjë çast të përballonte forcën e Serenes me amerikanën që nuk lëshoi asnjë game duke mbyllur llogaritë me Carla Suarez Navarron në 57 minuta lojë. Në fund festa ishte e gjitha për 33-vjecaren nga Michigani që fitoi titullin e saj të 8-të në Miami. Fituesja e 19 turneve Grad Slam u kurorëzua edhe njëherë tjetër përpara publikut të saj që nuk rreshti për ta mbështetur në asnjë çast.

Ky në Miami ishte titulli i 66 i fituar nga Serena Williams në karrierë nga 88 finale të zhvilluara gjithsej. Amerikanja konfirmoi kështu edhe njëherë tjetër momentin pozitiv që po kalon pasi ndaj Carla Suarez Navarros koleksionoi fitoren e 21-të radhazi, humbja e fundit për Williams është ajo ndaj Simona Halep në Mastersin e Singaporit.