Wenger: Trajneri i Monacos është gënjeshtar

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka quajtur gënjeshtar trajnerin e Monacos, Leonardo Jardim, për deklaratat e këtij të fundit i cili ka thënë se francezi nuk ia kishte shtrënguar dorën pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve.

Monaco e eliminoi Arsenalin nga Liga e Kampionëve për shkak të golave si mysafirë me rezultat 3-3, mirëpo Jardim kishte deklaruar ditë më parë se Wenger nuk ia shtrëngoi atij dorën pas fitores 3-1 në Emirates Stadium. Sidoqoftë, Wenger e mohon këtë gjë.

“Fotografitë tregojnë se unë kam pritur për ta uruar trajnerin e Monacos pas ndeshjes. Ai e festoi fitoren me stafin e tij, gjë të cilën e kuptoj shumë mirë”, tha fillimisht francezi për ‘L’Equipe’.

“Unë e urova atë pas konferencës për shtyp. Për këtë arsye edhe jam i befasuar që dëgjoj kësi gënjeshtra. Megjithëkëtë, unë i dëshiroj Monacos shumë fat për të ardhmen”, ka shtuar Wenger, shkruan ‘Telegrafi’.