Wenger sulmon UEFA-n

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger mendon se fair play financiar nuk ka funksionuar për asnjë moment. Madje sipas tij, ndryshimet e paralajmëruara nga presidenti i UEFA-s, Michel Platini, nuk do të ndikojnë aspak te Arsenali.

“Disa klube europiane kanë kërkuar që këto rregulla të modifikohen në mënyrë që të jenë më fleksibël ndaj investitorëve. Tek Arsenali nuk do të ketë asnjë efekt sepse ne gjithmonë i shpenzojmë të gjitha paratë që kemi në dispozicion. Ato që do të pëfitojnë janë klubet që kurrë nuk e kanë respektuar fair play financiar”.

Trajneri i topçinjve në vijim dha mendimin e tij se përse ky mekanizëm i UEFA-s nuk ka arritur të ketë rezultatet e pritshme.

“Nuk ka funksionuar asnjëherë plotësisht sepse UEFA apo FIFA nga ana ligjore nuk kanë të njëjtin pushtet si 10 apo 15 vjet më parë. Në gjykatën europiane mund të adresohet çdo çështje, ndaj është bërë e vështirë që UEFA të aplikojë rregulla strikte që ndoshta mund të jenë në kundërshtim me lirinë për të investuar”.