Vushtrrisë i rriten apetit, e synon një pozitë të madhe

E nisën me humbje. Madje nuk shënonin as gol në katër takimet e para (përfshirë edhe Kupën).

U krijua bindja sikur edhe Kosova e Vushtrrisë do të hyjë në valle për mbijetesë, bazuar edhe në valen e madhe të ikjeve gjata dimrit.

Mirëpo, fitorja ndaj Trepçës riktheu shpresën për rezultate të mira, derisa në fundjavë fituan edhe si mysafir. Mundën 1:0 Ferizajn.

Para këtyre dy takimeve morën pikë ndaj Vëllaznimit po ashtu në udhëtim (0:0).

Pa prit e pa kujtuar, ata tani janë në vendin e katërt, me 32 pikë, bile edhe para Hajvalisë e Trepçës ’89.

“Pas humbjes me 89-shin 2:0, u kam thënë lojtarëve se tri takimet e ardhshme nuk duhen humbur. Kështu edhe doli, pasi morëm 7 pikë”, thotë trajneri Bekim Shotani për GazetaOlle.com.

“E dija se kemi kapacitet, kemi lojtarë të rinj, përkundër largimeve të shumta dhe mos marrjes së lojtarëve që dëshiroja”, shton ai.

Tani apetitet janë rritur dhe pjesa e poshtme nuk shikohet më nga kampionët e tanishëm.

“Synimet janë pjesa e epërme e renditjes. Nëse na jepet rasti, do të luftojmë për vendin e dytë, pasi i pari na ikë shumë me pikë”, u shpreh Shotani.

Në fundjavë ata presin Drenicën. (Gazeta Olle)