Vushtrria fillon misionin që të rikthehet në majat e futbollit kosovar, Maxhuni flet për gjithçka

Klubi Futbollistik “Vushtrria” ka filluar misionin që të rikthehet në majat e futbollit kosovar.

“Bardhekaltërit” janë duke e vazhduar punën duke bërë prurje të reja në të gjitha repartet e klubit.

Ditë më parë klubi ka zyrtarizuar në postin e Drejtorit Sportiv, Mensur Maxhunin, i cili e kishte djersitur për shumë vite fanellën e kësaj skuadre.

Gazeta “Sheshi” e ka kontaktuar drejtorin e ri i cili ka folur për shumë tema rreth organizimit dhe afatit kalimtar.

Së pari, Maxhuni, ka konfirmuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.

“Me ardhjen e kryesisë së re në krye me kryetarin Agim Malokun, atmosfera në klub është shumë e mirë dhe jemi optimist që gjithçka do të shkojë shumë mirë”, ka thene Maxhuni.

Sipas Drejtorit Sportiv, objektivi kryesor i klubit është inkuadrimi në Ligën e Parë e pastaj edhe në Superligën e Kosovës.

“Objektivat e klubit janë që ky vit të jetë viti që do inkuadrohemi në Ligën e Parë. Të krijojmë ekip të mirë që pastaj nga Liga e Parë te luftojmë që Vushtrria të jetë aty ku e ka vendin, në Superligë”, shtoi më tej Maxhuni.

Klubi në radhët e veta e ka zyrtarizuar trajnerin Samuel Nikaj i cili edhe me parë ka qenë pjesë e Vushtrrisë. Kurse, Drejtori Sportiv, ka konfirmuar se janë në bisedime me shumë futbollistë.

“Jemi në bisedime me shumë lojtarë ku kemi arritur marrëveshje me katër futbollistë, por për shkak të dokumentacionit ende nuk i kemi bërë zyrtare. Me disa lojtarë bisedimet janë duke vazhduar, sepse kryesia duhet t’i shqyrtojë kërkesat e tyre”, vazhdoi Maxhuni.

Për fund, ish-futbollisti i Vushtrrisë ka edhe një lutje për tifozët e shumtë vushtrrias, “Forcën”.

“Për ‘Forcën’ e dimi të gjithë që kanë vuajtur shumë për gjendjen në klub, sepse është e rëndë për ta që Vushtrria të garoj në Ligën e Dytë. Mirëpo, i lus shumë nga kryetari e deri te anëtari më i ri i ‘Forcës’ që të bëhen të fortë e të na përkrahin që se bashku ta çojmë klubin përpara. I falënderojë shumë nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme”, përfundoi Maxhuni.

Nuk ndalet Ulpiana, kompleton transferin e dytë për sot

Conference League: Mbyllet pjesa e parë në ndeshjet Drita – Deçiq dhe Shkupi – Llapi