Vritet futbollisti që ishte suspenduar për montim rezultatesh

Ish-përfaqësuesi i El Salvadorit, Alfredo Pacheco, është vrarë – ka njoftuar policia.

Ai ishte pezulluar nga aktivitetet futbollistike në vitin 2013 për shkak të përfshirjes në trukime të ndeshjeve, është vrarë të dielën në një pompë benzine në Santa Ana, raporton Foxsports.

Futbollisti ishte duke biseduar me miqtë kur një person ishte afruar dhe kishte gjuajtur disa herë duke e vrarë atë dhe duke plagosur dy të tjerë, transmeton koha.net. Motivi mbetet i panjohur, ka thënë policia.

El Salvador është një nga shtetet me numrin më të madh të vrasjeve, me 6.068 vrasje në vitin 2015 deri tani.

Gjatë karrierës së tij si mbrojtës, Pacheco është paraqitur 86 herë për shtetin e tij dhe ka realizuar shtatë gola.

Shumicën e karrierës e ka kaluar në klubin FAS, ndërsa për një kohë të shkurtër luajti edhe te New York Red Bulls.