Vrasësi serik: Doja ta vrisja Ibrahimoviçin

Zlatan Ibrahimoviç në shënjestrën e një vrasësi serial. Sulmuesi suedez, aktualisht pjesë e Paris Sint Germain, ka rrezikuar ekzekutimin nga një vrasës gjakftohtë në vitin 2010. Detajin shokues e rrëfen vetë personi që pretendon se 5 vjet më parë ishte shumë pranë vrasjes së shtatlartit me origjinë boshnjake.

Sipas 43-vjeçarit, Peter Mangs, i dënuar për dy vrasje në vitin 2013, ai e kishte planifikuar vrasjen e sulmuesit në qytetin e Malmos ku Ibrahimoviç ka lindur dhe u rrit. Në autobiografinë e tij, Peter Mangs rrëfen se ishte shkëmbyer me makinën Ferrari të lojtarit në rrugët e qytetit suedez. Makina u parkua kundër rregullave të sinjalistikës rrugore dhe kjo sjellje nuk i pëlqeu aspak kriminelit që është dënuar edhe për 8 tentativa vrasje.

“Kjo është një sjellje tipike ballkanike”, shkruan Mangs që në atë moment shkoi të merrte pistoletën por pasi u kthye në vendngjarje makina Ferrari e shtatlartit nuk ndodhej më atje.

 

“Mendova se do të bëhej një zhurmë e madhe në media nëse do ta kisha qëlluar”, shkruan më tej vrasësi serial ku shton se shpesh herë ka pasur një dëshirë të pakontrolluar për të goditur me armë ndaj njerëzve në vendet publike, por kjo ide i ishte dukur shumë brutale.

 

Një rrëfim vërtet shokues sepse nëse gjithçka do të shkonte në drejtimin e gabuar, sot bota do të qante një nga lojtarët më mbresëlënës të lojës së futbollit.