Vokrri: Vendimi për Serbi – Shqipëri, nuk merret nesër

Nëse drejtësia duhet të vihet në rend, atëherë Shqipëria duhet të marrë tri pikë. Kështu thotë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ai komenton ‘betejën’ e tretë të Federatës Shqiptare të Futbollit me atë të Serbisë, ‘betejë’ kjo  e cila të premten zhvillohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

“Që nga momenti kur tifozi hynë me karrige në fushë, aty ndodh çështje tjetër. E mira e kësaj është se Tribunali Sportiv është i pavarur. Nëse i shikojmë edhe vendimet në ndeshjen Mali i Zi – Rusi, atëherë shpresat janë që Shqipëria të triumfojë”, tha Vokrri për GazetaOlle.com.

Sipas tij, vendimi nuk do të merret nesër. “Nesër është seancë dëgjimore dhe nuk do të ketë vendim. Ata do të marrin në pyetje të dy palët, kurse vendimin e marrin më vonë”, shtoi Vokrri.

FFK disa herë kishte menduar të ankohej në Gjykatën e njëjtë, për shkak të padrejtësive për mospranim nga UEFA, por përkundër kërcënimeve, një ankesë e tij nuk ndodhi. Tani FFK është shumë pranë anëtarësimit në shtëpinë e futbollit evropian dhe në atë botëror, (FIFA). (Gazeta Olle)