Vokrri: Na përgëzuan gjermanët, shkëlqyem ndaj Eintrachit

Përfaqësuesja e Kosovës në mars të këtij viti i zhvilloi dy ndeshjet e para miqësore për vitin 2015.

Nuk luajti me Kombëtare, por me klubet gjermane Eintracht Frankfurt e Werder Bremen.

Me Eintrachtin barazoi 0:0, kurse nga Werderi humbi 2:0.

Në një intervistë për sportal.al, njeriu i parë i futbollit kosovar, Fadil Vokrri sqaron se pse ndodhi një gjë e tillë. Thotë se Kosova i zhvilloi lojërat më të mira që pas pranimit të ndeshjeve miqësore nga FIFA.

Ndër të tjera, Vokrri komenton edhe deklaratën e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili deklaroi në televizionin ‘Klan’ se Kosova do të pranohet vitin e ardhshëm në UEFA.

Përfaqësuesja i zhvilloi dy ndeshje miqësore me skuadrat gjermane Eintracht Frankfurt dhe Werder Bremen. Një vlerësim i Vokrrit?

Vokrri: Mendoj se kanë qenë ndeshje shumë pozitive dhe janë vlerësuar lartë. Për një gjë të tillë, konsideroj se kanë mbetur të kënaqur edhe gjermanët të cilët na kanë përgëzuar për atë që kemi treguar.

Keni qenë edhe futbollist, në aspektin sportiv, a janë këto ndeshjet më të bukura të Kosovës, edhe pse nuk fituam?

Vokrri: Kemi shfaqur nivel shumë të lart. Sidomos ndeshja e parë me Eintracht Frankfurtin, ka qenë shumë e mirë me ç’rast kemi treguar se edhe ne kemi kapacitet.

Është kritikuar Kosova nga njohës të futbollit për faktin se sipas tyre, nuk duhet të luhet me ekipe…

Vokrri: Në mars janë luajtur edhe ndeshjet kualifikuese. Vendimi për të luajtur me ekipe, ka ardhur pas konsultimeve që kemi bërë me përzgjedhësin Albert Bunjaku. Kemi pasur mundësi që të luajmë me dy Kombëtare, por jo të nivelit të lart dhe në fund kemi vendosur që të luajmë me dy skuadra të Bundesligës.

Dalim pak te Shqipëria. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka thënë ditë më parë në televizionin ‘Klan’, se Kosova do të pranohet vitin e ardhshëm në UEFA. Jeni edhe ju i këtij mendimi?

Vokrri: Ne jemi afër pranimin. Mund të jetë ashtu siç thotë Duka, të shohim.

Duka gjithashtu deklaroi se asnjë lojtarë nga Kosova që aktualisht luan me Shqipërinë, nuk do të largohet nga Kombëtarja…

Vokrri: Konsideroj se aktualisht ky është problemi më i vogël që kemi.

Është folur për një miqësore Kosovë – Shqipëri, ka diçka të re?

Vokrri: Aktualisht nuk ka asgjë.