Vokrri: Mos u shqetësoni për takime të tilla

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka qetësuar të gjithë dashamirësit e futbollit kosovar, se takimi i Federatave fqinje nuk do të sjell asgjë brengosëse për pranimin e FFK-së në UEFA e FIFA.

Me iniciativë të Serbisë do të mbahet një takim i Federatave të Rajonit dhe më gjerë.

I pari i futbollit kosovar thekson se ky takim nuk është aspak shqetësues për pranimin e futbollit tonë në instancat ndërkombëtare.

“Ky është takimi i tretë pas atij në Slloveni dhe Budvë që do ta mbajnë. Ata do të diskutojnë për formimin e një lige të tretë evropiane, ku do të merrnin pjesë skuadrat që eliminohen nga Liga e Evropës”, deklaroi Vokrri për GazetaOlle.com.

“Nuk ka vend për shqetësim, këto që shkruhen janë spekulime të zakonshme të mediave serbe”, porosit kryetari i FFK-së.

2016-ta pritet të jetë viti i futbollit tonë, pasi më 3 maj pritet që FFK të pranohet në UEFA, pas votimit që do të bëhet në Kongresin e UEFA-s që mbahet në Budapest.

Në lidhje me sigurimin e votave, FFK javë më parë ka lobuar pikërisht në vendet e rajonit, si Turqia, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia etj. /Olle