Vokrri: Kosova në UEFA

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, sot prej orës 10:00 do të takohen me krerët më të lartë të UEFA-s, në shtëpinë e kësaj të fundit.

Me këtë rast, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka deklaruar mbrëmë për emisionin ‘Koha shtesë’ të Super Sport Kosovës, se Kosova do të jetë anëtare e UEFA-s.

“Ne do të takohemi nesër (sot) nga ora 10 dhe në takim do të jetë edhe Michel Platini. Unë besoj se Kosova do të jetë në UEFA. Kjo e fundit do të gjejë një zgjidhje për futbollin tonë. Se a do të hiqet neni famoz apo jo mbetet të shihet, apo si do të jetë zgjidhja, mbetet të shihet”, deklaroi Vokrri, përmes linjës telefonike nga Cyrihu, transmeton gazetaolle.com.

Ndërkohë, të pranishëm në emision ishin edhe nënkryetari i FFK-së,Bekim Haxhiu, trajneri Bekim Isufi dhe gazetarët, Kushtrim Krasniqi e Florim Canolli.

Të gjithë u pajtuan se klubet duhet të punojnë sa më shumë në çështjet organizative dhe infrastrukturë, në mënyrë që të jenë të gatshëm për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.

“Klubet tona do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve dhe Europa Ligë, nga viti i ardhshëm pasi tani veç është bërë licencimi i kubeve”, tha ndër të tjera Haxhiu. (Gazeta Olle)