Vokrri: Datë historike për futbollin e Kosovës

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka deklaruar sot pas takimit me krerët e UEFA-s, se kjo është një datë historike për futbollin e Kosovës.

“Është një datë historike për futbollin e Kosovës. Pas disa takimeve që kishim nga dhjetori, dhe pas disa vizitave që na u bënë nga zyrtarët e UEFA-s, ne vendosëm që sot me sekretarin e përgjithshëm t’ia dorëzojmë dosjen e aplikimit për pranim në UEFA dhe FIFA”, deklaroi Vokrri për RTV 21, transmeton Gazetaolle.com.

Ai foli edhe për pritjen që ua bëri Michel Platini. “Ishim në takim me Platinin, i cili na priti në mënyrë të ngrohtë. E pranuam dosjen si të tillë, dhe nuk ka ndonjë problem. Është e pranuar në mënyrë legale, janë përmbushur anët teknike për aplikim. Do të shohim tani rrugën e mëtutjeshme, kur agjenda jonë dhe e UEFA-s të harmonizohen deri në pranimin tonë”, shtoi i pari i futbollit të Kosovës. (Gazeta Olle)