Vojvoda: Synoj 200 paraqitje me Torinon, dua të bëhem më vendimtar për ekipin në vitin 2024

Mërgim Vojvoda ndihet krenar me 100 paraqitjet e tij me skuadrën e Torinos.

Në një intervistë për mediumet italiane, Vojvoda ka thënë se nuk ka qenë aspak e lehtë të arrihet kjo shifër, sidomos me fanellën e një ekipi. Këtë shifër që Vojvoda e ka quajtur magjike, mbrojtësi i krahut e arriti më datën 10 dhjetor në barazimin pa gola të Torinos me Frosinonen. Aktualisht, 28-vjeçari ka 102 paraqitje me ekipin italian, të cilit iu bashkua në verën e vitit 2020 nga Standardi i Belgjikës.

“Ishte një emocion i madh për mua të regjistroj 100 paraqitje me Torinon. Nuk ishte krenari vetëm për mua, por edhe për familjen time. Nuk është gjë e lehtë të arrihen 100 paraqitje me një skuadër. Më kujtohet debutimi im te Torino në vitin 2020 kundër Fiorentinës, por për fat të keq nuk pati shikues në tribuna shkaku i situatës me koronavirusin”, ka thënë Vojvoda. “Tani, dua të vazhdoj të luaj për Torinon, të jap më të mirën nga vetja dhe të arrij numrin 200 të paraqitjeve me këtë ekip”.

Vojvoda thotë se është i kënaqur me paraqitjet e tij në vitin 2023, ndërsa për vitin 2024 ka synime të mëdha. Ai dëshiron të jetë më vendimtar për ekipin italian.

“Viti 2023 mund të them se ishte vit i mirë për mua, por tani dua të bëhem më vendimtar për ekipin në vitin 2024. Do të doja që krahas paraqitjeve të mira, të paktën t’i shënoja pesë gola dhe të bëjë shtatë asistime”, shtoi Vojvoda.

Vojvoda pritet të jetë titullar në ndeshjen e fundit të këtij viti për Torinon. Torino, të premten luan në udhëtim te Fiorentina, ndeshje kjo që nis në orën 12:30 dhe i takon xhiros së 18-të në Serie A. Aktualisht, Torino zë vendin e dhjetë në tabelë me 24 pikë të mbledhura, ndërkohë Vojvoda thotë se në Firencë synojnë tri pikët për ta përmbyllur vitin 2023 në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Gjithmonë kur luan ndaj Fiorentinës është vështirë, por ne duhet të luajmë mirë dhe të mos dorëzohemi deri në fund. Nuk do të jetë aspak lehtë, por ne duam pikët e plota për ta mbyllur këtë vit me fitore, e cila do të ishte e rëndësishme për ecurinë tonë në kampionat”, shtoi Vojvoda.

Ai ka kontratë me Torinon deri në fund të këtij edicioni. /Gazeta Olle/

Final 8 Kupa e Kosovës zhvillohet në muajin shkurt, FBK shpall konkurs për organizmin e kësaj ngjarje

Paderborni paralajmëron se Muslija nuk do të shitet tek asnjë klub për pak para