Vlera e kombëtareve që do të luajnë në “Euro 2020”, renditje interesante

Nga nesër deri më 11 Korrik, kontinenti do të mbajë frymën, pasi do të mbahet edicioni i 16 i Evropianit.

24 kombëtaret më të mira do të duelojë për trofeun më të rëndësishëm në një muaj të nxehtë të mbushur me plot spektakël, përcjell GazetaBlic Sport.

Por kush është kombëtarja me vlerën më të madhe në treg? Duke iu referuar vlerave të futbollistëve të grumbulluar në “Transfermarkt”, Anglia kryeson këtë renditje speciale. Kombëtarja e Tre Luanëve vlen plot 1.3 miliardë euro në treg, kjo falë edhe yjeve që ka në ekip, si Kane, Sancho apo dhe Sterling.

Vendi i dytë për Francën e talenteve, Mbappe e Pogba, me kampionët në fuqi të botës që vlejnë në treg rreth 1 miliardë euro.

Podi plotësohet nga Gjermania, që duket se ka humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm. Kombëtarja e Joachim Low kushton 936.5 milionë euro.

Fituesit e Euro 2012, Spanja renditet në vendin e katërt me 915 milionë euro. E udhëhequr nga një Cristiano Ronaldo e Joao Felix, Portugalia kërkon të ruajë titullin e Europianit. Vlera e portugezëve në treg shkon 872.5 milionë euro.

Vendi i gjashtë për Italinë e Roberto Mancini, me vlerë 764 milionë euro në treg, ndjekur më pas nga Belgjika me 669.4 milionë euro, Holanda me 637 milionë. Shumë e distancuar me tulipanët e vendit të tetë gjendet Kroacia.

Kombëtarja ballkanase vlen vetëm 375.8 milionë euro në merkato.

Vendi i 10-të mbahet nga Turqia, 325 milionë euro.