Vjeshta e Dritës sipas Bekim Isufit

Edhe pse u organizuan me shumë vonesë për nisjen e kampionatit. Edhe pse sikurse në shumicën e klubeve në Kosovë, nuk kishte kushte shumë të mira për punë.

Edhe pse ekipin e kompletuan pak ditë para nisjes së kampionatit, skuadra e Dritës, tregoi futboll mjaft të mirë në stinorin vjeshtor të Raiffeisen Superligës së Kosovës.

Nën ‘regjinë’ e trajnerit Bekim Isufi, Drita padyshim se luajti futboll pa shumë kalkulime, të hapur dhe të bukur për sy, e që ndoshta në shumë ndeshje i kushtoi edhe me pikë. Skuadra ‘kaltërebardhë’ tuboi 21 pikë për të përfunduar në pozitën e tetë në tabelë.

Në një intervistë për Gazetaolle.com, trajneri Bekim Isufi, tha se nuk është i kënaqur me pikët e arkëtuara. “Nuk jam i kënaqur sepse kemi lëshuar pikë ku nuk është dashur të lëshojmë. Duke parë lojërat që i kemi zhvilluar, ndoshta me pak fat do të ishim më lartë në tabelë. Por, nëse kthehemi në fillim e shikojmë se si ka qenë gjendja dhe si kemi arritur të bëjmë ekip, nëse e marrim parasysh edhe nisjen e përgatitjeve me vonesë dhe disa vështirësisë gjatë sezonës, atëherë ndoshta gjendja momentale është reale. Mos të harrojmë se edhe kushtet e punës për stërvitje kanë munguar, në dy javët e fundit e kemi patur fushën ndihmëse dhe kjo na ka penguar në avancimin, perfeksionim dhe korrigjimin e lojës”, ka thënë ‘timonieri’ me shumë perspektiv në futbollin e Kosovës, Bekim Isufi. 

Financat e klubit, largimet, përforcimet

Në pyetjen për gjendjen financiare në klub, Isufi deklaroi: Sikurse çdo ekip në Kosovë, edhe ne jemi përballur me vonesa të pagave”.

Nga Drita deri më tash është larguar mesfushori Endrit Krasniqi, i rikthyer te Prishtina. “Nuk besoj se do të ketë largime pasi që Drita nuk e ka luksin të lirojë lojtarë. Sa i përket përforcimeve, ndoshta është më mirë të kthehen disa lojtarë në formë, e të cilët nuk kanë qenë në formën më të mirë në këtë gjysmë-stinor”, potencoi Bekim Isufi, i cili përpos Dritës, gjatë karrierën si trajner e ka drejtuar edhe Hajvalinë.

A do të mbetet te Drita?

Gjatë këtij muaji pati ndryshime të mëdha të trajnerëve në disa skuadrat e Superligës. Se a do të largohet apo jo, Bekim Isufi nga Drita, ai thotë se një e tillë do të vendoset në ditët në vijim. “Ne do të ulemi dhe do ta bëjmë një analizë. Kemi krijuar në grup interesant me futbollistë të rinjë dhe kreativ. Mbetet të shihet se çka do të ndodh tash e tutje”, përfundoi Bekim Isufi.

Kujtojmë se ‘Beka’ është trajneri i preferuar i tifozerisë ‘Intelektualët’.

Ai edhe si futbollist ka qenë pjesë e Dritës, derisa është dalluar në repartin e mesfushës, ku e ka bartur edhe shiritin e kapitenit. (Gazetaolle.com).