Vjen humbja e parë

Përfaqësuesja e Kosovës e ka pësuar humbjen e parë, në Kampionatin Botëror të shteteve në zhvillim, që po mbahet në vendin tonë.

Djelmoshat e Taib Kabashit u dorëzuan në duelin e xhiros së tretë të Grupit A, duke u ‘fundosur’ përballë Ishujve Faro, të cilët ishin më të mirë gjatë gjithë ndeshjes, duke humbur 36:30.

Madje, ‘mysafirët’ u shkëputën qysh në pjesën e parë, të cilën e mbyllën me shtatë gola dallim, 19:12. Në pjesën e dytë, epërsia e Ishujve Faro shkoi deri në 9 gola, por në fund kosovarët u afruan deri në gjashtë gola dhe kjo ishte e tëra që mundën ta bënin, ndaj një kundërshtari mjaft të fuqishëm.

Egzon Xhuka ishte më i miri tek ekipi kosovar, por 11 golat e tij ishin të pamjaftueshëm për ekipin kosovar, përcjell Zëri.

Kosova e kishte mposhtur Armeninë në ndeshjen e parë me rezultat të thellë, 60:17, ndërsa të dielën mbrëma e mundi edhe Australinë, 31:24.

Përkundër humbjes, Kosova e ka siguruar pjesëmarrjen në çerekfinale të këtij evenimenti, por e humbi primatin dhe e mbylli fazën e grupeve në pozitën e dytë. Të martën, skuadrat do të pushojnë, ndërsa faza eliminuese fillon të mërkurën.