Vidal i shpëton burgut, por i hiqet leja për vozitje

Pas festës së fitores së Kupës së Amerikës me Kilin, Arturo Vidal arrin t’ia hedhë paq edhe në procesin gjyqësor të ngritur ndaj tij, pas aksidentit që shkaktoi me 16 qershor, ku rrezikoi jetën e personave të tjerë.

Futbollisti kilian, fillimisht kërkoi falje publike për gjithcka kishte ndodhur, ndërsa gjatë procesit gjyqësor u shpreh se ishte i gatshëm të pranonte cdo vendim të Gjykatës. Si përfundim, 28-vjecari arriti ta pezullojë procesin kundër tij, por do të paguajë një dëmshpërblim financiar ndaj viktimave të aksidentit, si dhe i pezullohet patenta për dy vitet e ardhshme.

Vidal rrezikonte deri në tre vite burg për ngarje të makinës në gjendje të dehur dhe kërcënim të forcave të rendit, por mesfushori i Juventusit pranoi të gjitha kushtet e gjykatës për të qenë i lirë.

Kiliani duhet të dhurojë gjithashtu 100 topa futbolli për një akademi sportive si dhe do të jetë i detyruar të japë autografe për zjarrëfikësit apo të marrë pjesë në konferencat që do të zhvillohen për të sensibilizuar personat që shkaktojnë aksidente rrugore.

Një dënim mjaft i lehtë për futbollistin e Juventusit, të cilit i është garantuar arkivimi i procesit, nëse nuk do të ketë probleme me drejtësinë për 12 muajt e ardhshëm. Nga ky moment Vidal mund të largohet nga vendi, për të shijuar pushimet verorë, para se të mësojë nëse e ardhmja e tij do të vazhdojë të jetë në Torino.