Vettel i nderuar që piloton një Ferrari

Në vetëm pak kohë Sebastian Vettel është dashuruar marrëzisht pas Ferrarit. 4-herë kampioni i Botës në Formula 1 në asnjë moment nuk nguron ta shprehë lumturinë e tij që është bërë pjesë e një skuadre legjendare si Ferrari. Me kokëkuqen piloti gjerman është përshtatur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Vettel nuk rresht se theksuari se ai do të japë maksimumin për të ringritur Ferrarin në vendin që i takon.

“Të drejtosh një makinë të tillë, më shumë sesa një përgjegjësi është një nder. E di që të gjithë presin një punë të madhe nga ana ime. Shumë gjëra kanë ndryshuar dhe shumë njerëz të rinj janë bërë pjesë e Ferrarit. Gjithsesi gjëja pozitive qëndron te fakti se të gjithë në skuadër dëshirojmë dëshpërimisht të fitojmë, por mbi të gjitha duam që të ringjisim Ferrarin në vendin që i takon”.

Më pas Vettel foli edhe për makinën e re SF 15-T e cila spikati jo pak në testet përgatitore që u zhvilluan në Jerez të Spanjës.

“Në Jerez gjërat shkuan shumë mirë për ne. Unë dhe Kimi kemi në dispozicion një makinë të mirë. Gjithsesi e vetmja gjë për të cilën duhet të mendojmë është të punojmë gjithnjë e më fort për t’u përmirësuar akoma më tepër. Nëse duam të pretendojmë për fitoren finale duhet të jemi në gjendje të rivalizojmë një skuadër si Mercedes dhe të jemi në gjendje t’i mundim ata. Dicka e tillë nuk do të jetë e thjeshtë por ne do të provojmë me të gjitha mënyrat e mundshme”.

Në fund të intervistës së tij Vettel kujtoi edhe themeluesin e kokëkuqes, Enzo Ferrarin.

“Është një mëkat që këtu nuk është më Enzo Ferrari, do të ishte dicka shumë e bukur për mua ta njihja. Megjithatë ajo që ka lënë ai këtu është një gjë magjike. Të jesh pjesë e kësaj skuadre është dicka e mrekullueshme”.