“Vetëvrasje me klubet e mbytura”, Trepça ‘89 drejt fundosjes | Ja orari i plotë i 89-shit dhe rivalëve

Është një prej atyre situatave ku “i mbyturi të mbyt”. Trepça ’89 ka bërë “vetëvrasje” duke u nisur drejt Ligës së Parë pas dy gabimeve të pafalshme në duelet ndaj skuadrave të rëna moti një kategori më poshtë.

Në dy takimet e fundit ndaj dy skuadrave të fundit, Vushtrrisë dhe Dukagjinit, 89-shi ka marrë vetëm një pikë, përcjellë Gazeta Olle.

Sigurisht që në matematikat e një klubi që në fakt njihet për matematika si 89-shi, dy duelet në “Riza Lushta” dhe “18 Qershori” janë kalkuluar që do të prodhojnë gjashtë pikë, por në fakt ekipi i Shpëtim Idrizit mori një barazim (1:1) e një humbje (3:2).

Humbja e djeshme në Klinë ka rënduar shumë situatën e ish-kampionit të Kosovës, duke shkaktuar edhe një “tërmet” pakënaqësie brenda klubit.

(Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)

Kësisoj, në tri duelet e mbetura, 89-shi duhet të marrë nëntë pikë dhe sërish të presë gabimet e rivalëve për mbijetesë.

Fillimisht mitrovicasit presin klubin mik, Llapin, më pas udhëtojnë te Feronikeli, ndërsa në xhiron e fundit e presin Prishtinën.

Orar dukshëm më të mirë ka Drenica, e cila luan me Vushtrrinë e Dukagjinin në shtëpi dhe me Dritën jashtë.

Ndërkohë, Flamurtari pret Feronikelin, luan në “Fadil Vokrri” ndaj Prishtinës dhe në fund është nikoqir i Gjilanit.

Ekipit të Shpëtim Idrizit i duhet të fitojë tri takimet e mbetura dhe të shpresojë në rezultatet negative të Drenicës e Flamurtarit.

Pamje nga ndeshja mes rivalëve të zonës së kuqe, Trepcës ’89 dhe Flamurtarit (Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)

Më poshtë kalendari i ndeshjeve të tri skuadrave që po luftojnë për mbijetesë:

XHIRO 31

Flamurtari – Feronikeli
Drenica – Vushtrria
Trepça ’89 – Llapi

XHIRO 32 

Prishtina – Flamurtari
Drita – Drenica
Feronikeli – Trepça ’89

XHIRO 33

Flamurtari – Gjilani
Drenica – Dukagjini
Trepça ’89 – Prishtina. /Gazeta Olle/

(Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)