Versioni i “Plisave” për incidentin e Elbasanit

Tifo-grupi “Plisat” kanë dalë me një komunikatë për shtyp, për të sqaruar incidentin që ndodhi në Elbasan me tifozët mitrovicas, “Torcida”. Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e tifozëve bardhekaltër.

Ne, grupi i tifozëve Plisat, e ndjejmë për obligim që të sqarojmë për opinionin mbarëshqiptar ngjarjen që ndodhi në Elbasan, ngjarje kjo e cila u përfol shumë. Ne konsiderojmë se asnjë ngjarje dhe asnjë veprim nuk mund t’a qes në hije fitoren e madhe dhe hapin e madh që Shqipëria e bëri drejt realizimit të ëndrrës së të gjithë shqiptarëve, kualifikimin në Kampionatin Evropian 2016.

Plisat, si grup i organizuar, janë në çdo ndeshje të kombëtares nga fillimi i viteve 2000. Do të thotë rreth 15 vite ne i kemi qëndruar besnik’ Shqipërisë. Për dallim prej grupeve të tjera tifozërike, Plisat në asnjë moment nuk e kanë vënë në dyshim përkrahjen e tyre për kombetaren shqiptare. Ne nuk e ndalem perkrahjen tonë as atëherë kur Shqipëria nuk kishe rezultate të mira, as atëherë kur për të shkuar në stadium ne i bënim rreth 15 orë rrugë (shpesh edhe më tepër), as atëherë kur na duhej që të ecnim në këmbë, në borë, duke e rrezikuar edhe jetën tonë. Dhe asnje nga këto nuk na dëshperoi. Shqiperia përsëri na pati prapa. Ne e duam Shqiperine pa asnjë kusht. Dhe padyshim që ne nuk patëm asnjë mëdyshje se cilën përfaqësuese do ta pëkrahim, kombetaren e Shqipërisë apo ekipin e Kosovës.

E për dallim prej Plisave, shumica e grupeve tifozërike të Kosovës, u distancuan nga Shqipëria, duke u rikthyer tek ajo vetem tani që po tregon rezultate të mira. Ndërsa neve Shqipëria do të na ketë prapa edhe sikur t’i humbë të gjitha ndeshjet, sepse dashuria jonë për Shqiperine nuk varet nga sa ajo na jep neve. Dashuria jonë për Shqipërine është pjesë e qenësisë sonë.

Si do që të jetë, ne në pika të shkurta do t’a sqarojmë ngjarjen e djeshme në mënyrë kronologjike. Rivaliteti i Plisave me tifozët nga Mitrovica është i vjetër dhe sikur çdo rivalitet tjetër sportiv në botë, ka raste që eskalon. Për hirë të qëllimit madhor, Plisat në të gjitha rastet e deritanishme i jane shmangur situatave të tilla ne ndeshjet e kombëtares. Normalisht që për neve kombëtarja është mbi të gjitha. Dhe jo vetëm aty, edhe në grumbullimet tjera, p.sh. në protesta të ndryshme, ne e kemi tejkaluar rivalitetin tifozërik e sportiv, dhe kombin e vendin tonë e kemi vendosur në rend të parë. Mirepo, të dielën kur Torcida erdhën në Elbasan, ne vecse ishim të vendosur në njerin nga sheshet e ketij qyteti. Sikur në të rastet tjera, kur ata kaluan pranë nesh, ne provuam të qëndrojmë tëresisht indiferent kundrejt tyre. Ata, ashtu të grumbulluar, duke ecë, në momentin që na panë neve, disa nga ta u kthyen kah ana jonë dhe filluan me thirrjet: “JU JENI SHKIJE”..!! Ne, duke provuar që të mos bijmë në provokimet e tyre të ulëta, ua kthyem: “NA JEMI PLISAT”..!! E PLISI dihet që është simbol kombëtar.

Sikur kjo nuk iu mjaftoi dhe ata pas sharjeve tjera, filluan me hedhje të sendeve të forta në drejtimin tonë. Nën breshëri të gurëve (ashtu siç ata janë mësuar të bëjnë gjithmonë) dhe të përballur me sharjet e tilla të ulëta, ne me nuk mund të rrinim pa reaguar. Reaguam aq sa ishte e nevojshme t’i qetësojme ata idiotë, të sëmurë e të kompleksuar, të cilen kush e di se për qëllim të kujt, kanë ardhë në Elbasan që të prishin festën e bukur mbareshqiptare. Normalisht qe ku ka Plisa, aty askush nuk mund të punojë asgjë që bie ndesh me interesat e shqiptarëve. Prandaj e diela ishte dite kur u shfaq nevoja qe ai grup të qetesohet deri në atë masë sa të mos jetë në gjendje as ta përcjellë ndeshjen e futbollit e lëre më të provokojë ndonjë shqiptar tjetër. Kjo deshmohet edhe me video. Se sa hipokrit janë ata njerëz të atij grupi, tregon edhe fakti që ata janë i vetmi grup tifozërik në botë që përkrahë dy ekipe dhe dy perfaqësuese: Trepçën dhe Trepçen ’89 si dhe ekipin e Kosovës dhe Kombëtaren shqiptare.

Dhe per fund, duam t’i falënderohemi çdo shqiptari për përkrahjen e vazhdueshme që na jep neve si grup, sepse kjo na bënë edhe më të fortë. Dhe sa më të fortë ne, aq më e fortë do të jetë Shqipëria. Falenderojmë qytetarët e Elbasanit të cilët çdo herë po na bëjnë të ndihemi si në shtepinë tonë.E çka është me e rëndesishmja, si në humbje ashtu edhe në fitore, PRAPA NA KA SHQIPËRIA!- sepse jo kot e kemi mesazhin KU KA PLISA ËSHTË SHQIPËRI!!”, thuhet në njoftimin e “Plisave”.