Verdiktet e kampionatit 2023/24: Llapi në Ligën e Evropës, Feronikeli 74 në barazh

Ndeshjet e xhiros së fundit të Superligës së Kosovës për edicionin 2023/2024, janë mbyllur pa befasi, duke konfirmuar Llapin si të dytin.

Kjo, pasi Llapi fitoi thellë 5-1 në udhëtim te Liria dhe siguroi Ligën e Evropës.

“Këpucën e Artë” për këtë sezon e siguroi sulmuesi Muhamet Hyseni që shënoi dy gola dhe e mbyll kampionatin me 26 gola në total, një më shumë se Drilon Hazrollaj i Malishevës.

Drita barazoi 1-1 me Malishevën, ndërsa Gjilani dhe Feronikeli 74 i fituan ndeshjet që i patën në garën për barazh dhe tabela nuk ndryshoi.

Gjilani fitoi 4-2 në udhëtim te Dukagjini, ndonëse dy herë ishte në disavatazh. Feronikeli 74 nuk pati telashe në udhëtim te Fushë Kosova dhe fitoi 3-0.

Ballkani e mbylli kampionatin me fitore ndaj Prishtinës me rikthim të rezultatit (2-1).

Ballkani e mbyll kampionatin me 78 pikë në vendin e parë, ndërsa Llapi mbeti i dyti me 71 pikë. Drita në vendin e tretë me 66 pikë, kurse Malisheva e katërta me 57 pikë.

Ballkani do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Llapi në Ligën e Evropës, kurse Drita e Malisheva në Ligën e Konferencës.

Prishtina në vendin e pestë mbetet me 49 pikë, Dukagjini me 45 në vendin e gjashtë, aq sa edhe Gjilani në vendin e shtatë.

Me një pikë më pak në vendin e tetë kampionatin e mbyll Feronikeli 74 që do të luajë në barazh me fituesin e ndeshjes Dinamo – Prishtina e Re.

Fushë Kosova me 20 pikë dhe Liria me 14 pikë ishin përshëndetur më herët nga elita e futbollit kosovar.

Ilir Daja i lumtur për sukseset, thotë se për të ardhmen do të bisedojë me drejtuesit

Shpëtim Duro pritet të marr drejtimin e Suharekës